17:18 / E Hënë, 10 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Mogherini ndalet, pas presionit për heqjen e taksës nuk e përjashton mundësinë e ndryshimit të kufijve!

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, por ka theksuar se një korrigjim i mundshëm, nuk do të duhej të jetë i bazuar përmes vijave etnike.

“Pavarësisht se për cilat adoptime do të pajtoheshin palët në të ardhmen, rezultati nuk duhet të ishte spastrimet etnike të vendeve. Në çfarë do rasti, të dyja vendet duhet të mbesin shumetnike” ka thënë Mogherini.

Ajo i bëri këto deklarata, pas takimit të sotëm të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian. Shefat e diplomacisë se vendeve anëtare të BE-së, diskutuan për situatën në Ballkanin Perendimor, por pjesën më të madhe të kohës biseduan për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Kujtojmë faktin se Mogherini ka qenë më e zëshmja sa i përket heqjes së taksës për Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinen. 

Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës nuk ka ndryshuar sa i përket vendimit për taksën 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja.

Kontaktuar së fundi nga Klan Kosova, nga zyra e Kryeministrit Ramush Haradinaj pavarësisht kërkesave të Federica Mogherinit, shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Europian për të tërhequr vendimin e taksës, bënë me dije se taksa hiqet vetëm kur Kosova pranon njohje nga Serbia.

”Taksa hiqet në momentin kur kemi njohje nga Serbia dhe Kosova i ka argumentet e forta pse eshtë vendosur kjo taksë. Nuk është respektuar marrëveshja e CEFTA-s dhe e gjithë kjo është bërë në mbrojtje të sovranitetit dhe ekonomisë së vendit”, është thënë në përgjigjien e Qeverisë së Kosovës nën udhëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, njofton Klan Kosova.

Shefja për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini së fundi në një adresim publik i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta revokojë taksën prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja.

Ajo ka thënë se iu takon Kosovës dhe Serbisë se si do të duket marrëveshja finale mes tyre por sipas saj, nuk do të pranohet kufi me linja etnik, njofton Klan Kosova.