18:38 / E Diele, 15 Nëntor 2020 / C E

”Momenti historik të këmbëngulim për bashkim kombëtar!”

Shkruan: Mustafë Bajrami

E them me bindjen më të madhe, sa e kam bindjen në Zotin Një, se e vetmja shansë që mund të na jep sadopak shpresë të bëhemi ‘dikushi’ e të na marrin për serioz si popull e si shtet, e vetmja shansë që i bënë miqtë e armiqtë tanë të kenë kujdes ndaj neve, ështe bashkimi kombëtar. Bashkimi i shqiptarëve në një shtet të vetëm. Shtetet përreth, pra edhe Turqia, vetëm si të tillë mund t’i llogarisin si ‘dikushi’ shqiptarët e të kenë kujdes dhe të dëgjojnë me vëmendje zërin e tyre. Vetëm si të bashkuar ne mund t’i bëjmë të tjerët të mendojnë mirë e mirë për çfarëdo hapi eventual që marrin karshi neve apo eventualisht në dëm tonin.
Prandaj kam thënë se nuk njoh armik më të madh për shqiptarët, nga brenda, se sa njerëzit që promovojnë ndarjen e mëtutjeshme mes neve shqiptarëve në Kosovë dhe atyre andej në Shqipëri. Që promovojnë kosovarizmin si qenie e pavarur kombëtare nga qenia kombëtare shqiptare në Shqipëri.
Vetëm si komb i bashkuar disa milionësh ne mund të bëhemi faktor eventual që ka aftësinë dhe fuqinë hipotetike të mjaftueshme ta mbrojë vetveten nga rreziku që na vjen prej së jashti. Në të kundërtën, kështu siç jemi, lirisht thuaj ne jemi ‘asgjë’ dhe ‘askushi’ krahasuar me atë si do të ishim të bashkuar.
Numri ka peshë. Sidomos në raste të këtilla. Numrin e përmend edhe Kur’an. Është i përmendur edhe në librat tjerë të shenjtë. Numri ka peshë në të gjitha segmentet e jetës.
Është momenti historik që shqiptarët të ngrisin zërin si asnjëherë më parë dhe t’i tregojnë botës se është tepruar skajshmërisht ndaj neve. Është momenti historik të mos lëshohet pe më asnjë centimetër. Sidomos pas rasteve të fundit dhe ngjarjeve që do të pasojnë tani e tutje.
Të flitet sot për ndërprerjen e dialogut është më e pakta që duhet ta bëjnë shqiptarët. Duhet edhe më shumë. Me çdo kusht e për çdo çmim duhet t’i bëjmë popujt përreth dhe faktorin ndërkombëtar ta kuptojnë kufirin përfundimtar të shkeljes së dinjitetit tonë si komb e si popull.
Siç kam shkruar edhe më parë, Serbia dhe vendet tjera do të pushojnë së kërcënuari vetëm atëherë kur ne bëhemi ‘dikushi’. Kur bëhemi fillimisht shumë e pastaj të fuqishëm mjaftueshëm sa ta mbrojmë dinjitetin tonë. Vendin dhe të ardhmen tonë. Vetëm kështu ata do të detyrohen të kenë kujdes ndaj nesh. E për tu bë të tillë, sharti i parë, kushti i parë është bashkimi kombëtar. Deri atëherë, derisa nuk realizohet kjo, ne do të mbesim kështu siç jemi. Karshi armiqve të brendshëm mbesim të pafuqishëm për ta bërë më të mirën, e karshi armiqve të jashtëm të pafuqishm të mbojmë vetveten. Thjeshtë, jemi ‘askushi’. Ne mbesim vetëm për aq sa miqtë tanë të bëjnë rahmet në neve. Për fat të keq, asgje më shumë! Pra, as numër e as peshë.
Së këndejmi, elita intelektuale e kombit tonë, këndej e andej kufiri duhet të punojnë parreshtur në promovimin e bashkimit kombëtar. Nëpër xhamitë tona, këndej e andej kufiri, duhet të kumbojë zëri i imamëve teksa flasin e promovojnë bashkimin kombëtar. Nëpër xhamitë tona duhet të flitet vazhdimisht për të mirat që u vijnë shqiptarëve nga bashkimi kombëtar. Imamët duhet të prëmendin shembuj nga praktika e profetit të njerëzimit, Muhamedin a.s. Të përmendin ajetet kur’anore që flasin për bereqetin e bashkimit. Të përmendin edhe ajetet që paralajmërojnë të ligat e fatkeqësitë që ndodhin si rezultat i ndarjes dhe përçarjes mes neve.
Imamët, priftërinjtë, niashtu edhe intelektualët tanë duhet të kenë kujdes që të mos bien nën ndikimin e politikave ditore që i imponohen kombit shqiptar. Politika këto që sot flasin e veprojnë kundër bashkimit kombëtar. Që promovojnë krijimin e kombeve të reja nga trungu i kombit shqiptar. Hoxhallarët tanë duhet të qëndrojnë stoik dhe t’ia shpjegojnë njerëzve dhe klasës politike nevojën e domosdoshme, sidomos tani, për bashkimin kombëtar.
Rrugëdalje tjetër për shqiptarët nuk ka…!