13:59 / E Diele, 31 Tetor 2021 / LB

Monografi për kryepleqnarin e Kosovës

Shkruan: Bedri Tahiri

Pas një pune hulumtuese studimore disavjeçare, i palodhuri Dr. Mehmet Rukiqi sot e kurorëzoi monografinë prej gjashtëqind e ca faqesh “RAMADAN SHABANI”, botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.

Të shkruash për kryepleqnarin e Kosovës, Ramadan Shabanin, është nder dhe përgjegjësi. E kush tjetër mund ta kryente këtë mision përveç atij që sot vetë është kryepleqnar, studiuesi e njohësi më i mirë i kulturës dhe traditës shqiptare, folkloristi i madh, Dr. Mehmet Rukiqi.

Ramadan Shabani (1861-1931): Pleqnar dhe luftëtar;  pajtimtar e kuvendar, gojëmjaltë e zemërluan, doajeni i filozofisë popullore, krijues dhe bartësi më besnik i tregimeve gojore juridike, personaliteti më i kompletuar i drejtësisë popullore, këshilltar, vizionar e misionar.

I vlerësuar dje, sot e nesër.

Azem Galica: Ramadan Shabanin e kam për kryevendi!

Hasan Prishtina: Ramdan Shabanin e kam hartën më të sigurt!

Bajam Curri: Ramadan Shabanin e kam kuvendar, mendar pleqnar e luftëtar!

Hoxhë Kadri Prishtina: Ramadan Shabanin e kam këshilltar të parë!

* * *

Ramadan Shabani rrjedh nga një familje e vjetër që ka ndarë pleqni disa brezni me radhë. Bir i Shaban Kajtazit, i cili ka marrë pjesë në Luftën e Dibrës kundër Hajredin Pashës dhe në Besëlidhjen e Pejës.

Ramadani u lind në vitin 1865 në fshatin Carravik ku jetonte me parë familja e tij. Kur ishte 16 vjeçar e tërë familja shpërngulen në Kijevë të Llapushës. Pa i mbushur ende të njëzetat filloi të merret me pleqni dhe këtë profesion do ta ushtrojë gjatë gjithë jetës me një autoritet dhe aftësi të dalluar ngase gëzonte besim të madh në shtresat e gjëra popullore. U përpoq sa mundi për emancipimin dhe çlirimin e vegjëlisë nga shtypja dhe shfrytëzimi shekullor. Më 1913 takohet për herë të parë me Hasan Prishtinën dhe me Isa Boletinin. Pasi mbaroi Lufta e Parë Botërore, ishte kryetar i Komunës së Kijevës, mban lidhje me tribunin e vegjëlisë, Bajram Currin.

Ishte përkrahës i madh dhe këshilltar i Azem Galicës dhe, pas përleshjes së përgjakshme me 3 maj 1919 në mes të xhandarmerisë dhe të Çetës së Azem Galica në Kijevë dhe fshatrat për rreth, bashkë me Azemin dhe luftëtarët e tij shkon në Shkodër. Në Shqipëri qëndroi dy vjet dhe njihet me patriotët e dalluar demokratë të kohës si Hoxhë Kadriun e Prishtinës, Luigj Gurakuqin dhe Avni Rrustemin. Thoshte: “Prej Gurakuqit mësova fjalën gjeografi (toka) dhe histori (e kaluemja). Për shqiptarët tash për tash gjeografia u nda, por historia është e bashkueme”.

 Më 1921 kthehet në Kosovë ku i kushtohet krejtësisht punës së pandërprerë në pajtimin e gjaqeve dhe zgjidhjen e ngatërresave e grindjeve, i bindur se pajtimi i gjaqeve, ndalimi i gjakderdhjes dhe i hakmarrjes nuk është vetëm çështje e dy personave apo dy familjeve, por është një gjë shumë me rëndësi për jetën dhe fatin e vetë popullit.

Dhe deri sa vdiq, për zgjidhjen e çështjeve më të ndërlikuara nga lëmi e se drejtës zakonore, Ramadan Shabani ishte gjithmonë në krye të „meshlizit” dhe fjala e tij pritej si një vendim që pranohej me kënaqësi nga pleqnarët tjerë, sepse: ndante pleqni pa ndonjë interes vetjak, kishte gjithmonë qëndrim konsekuent si për të madhin si për të voglin, si për të pasurin si për të varfërin, si për pjesëtarët e njërit si për të tjetrit konfesion apo dhe të njërës e të tjetrës trevë.

Ramadan Shabani vdiq në Kijevë më 15 mars 1931.

Më 1993, Presidenti Sali Berisha, me Dekret nr. 435 e ka dekoruar me “Urdhrein e Lirisë të Klasit të Parë”, ndërsa Arben Imami, Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, pas vdekjes, i jep Medaljen “Për Shërbime të Shquara”.

Në vitin 2019, Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, me vendimin nr. 220, Ramadan Shabani (pas vdekjes), dekorohet me Medaljen Presidenciale të Meritave.

Lavdi për jetë e mot Ramadan Shabanit!

* * *

Lapidarin më të qëndrueshëm të përjetësisë, pleqnarit e atdhetarit që bëri epokë, Ramadan Shabanit, ia ngriti Dr. Mehmet Rukiqi me monografinë “RAMADAN SHABANI”, të cilën, në njëfarë mënyre e përuruam sot (29. 10. 2021), bashkë me pinjojtë e këtij gjeniu popullor, të prirë nga Ramadan Shabani (i Riu)!

Urime e suksese të reja, Baca Mehmet Rukiqi!

Urime e qofshi të nderuar gjithmonë Ju pasardhës të Ramadan Shabanit!