21:59 / E Martë, 09 Janar 2018 / indeksADMonline

Morina: Ndotje ka, por s’jemi në fazë ekstreme

Ilir Morina, kryeshef ekzekutiv në Agjensinë për Mbrojtjën e Mjedisit në kuadër të Ministrisë së Ambientit të Qeverisë së Kosovës, ka thënë se ka ndotje në Prishtinë, por megjithatë nuk bëhet fjalë për fazën më të rrezikshme.

Ai ka folur kështu në një intervistë në RTK.

“Shumë qytete në botë mëngjes kanë qenë më të ndotura se Prishtina. Ka moment kur në mbrëmje Prishtina është e ndotur, por jo më shumë se Shkupi asnjëherë. Mirëpo, tejkalimet janë evidente, ka tejkalim të normave, por gjendja është në një fazë të moderuar. Kemi tri faza që janë më të rrezikshme, por që nuk janë arritur akoma”, është shprehur Morina.

Sipas tij, masat që janë marrë përballë gjendjes janë një plan veprimi, ku bashkëveprojnë shumë faktorë institucionalë.

Morina ka thënë se shumë qytete në rajon janë duke u ballafaquar me problem të njëjtë.