08:41 / E Mërkurë, 28 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Mos u dorëzoni me 2 muaj palestër! Gjërat e mira duan kohë!

Shumë njerëz janë të apasionuar pas palestrës dhe fitness-it, një ndër ta është edhe instruktorja Disola Malaj ose, siç njihet ndryshe në rrjetet sociale, “Albanian Fitness”. Disola është instruktorja shqiptare, e cila ushtron pasionin e saj, fitness-in, në Amerikë, vendi ku jeton prej disa vitesh. Ajo e ka filluar stërvitjen 3 vite më parë dhe trupi i saj e tregon mjaft mirë punën e palodhshme që ka bërë për të arritur format e kërkuara.

Fitness-i për të është një pasion, jo profesion por kjo nuk e pengon që t’i kushtojë vëmendjen e duhur, madje së fundmi ajo ka hapur edhe një kanal në Youtube ku jep këshilla të ndryshme për sa i përket stërvitjes personale. Blitz.al ka kontaktuar me vetë Disolën, e cila ka dhënë disa këshilla të vlefshme për të gjitha vajzat dhe djemtë e apasionuar pas aktivitetit fizik.

Si keni arritur në format që keni sot?

-Një stërvitje konstante 4-5 herë në javë dhe ushqim të freskët e të balancuar me të gjitha ushqyesit e duhur. Ndërtimi i një trupi me forma dhe të shëndetshëm është i mundur për këdo. Domosdoshmërisht kërkon durim pasi merr kohë në qoftë se vendos të jesh 100% natyrale (pa përdorim steroidesh), por edhe punë të vazhdueshme.  Fiziku i sotëm ka dashur gati 3 vjet kohë të ndërtohet, megjithatë do të thosha që është punë në ndërtim e sipër.

2.Çfarë i the vetes në momentin që fillove t’i futesh kësaj rruge?

-Transformimi dhe ndërtimi i fizikut tim ka qenë dhe do të mbetet me një synim në mendje: përmirësimin e shëndetit tim fizik në radhë të parë, por edhe atij emocional e mendor. Kur trupi është i shëndetshëm nga përbrenda, rezultatet do vijojnë edhe në të pasurit e një fiziku të këndshëm së jashtmi.

Për ata që sapo e nisin rrugëtimin e tyre me fitness-in dhe aktivitetin fizik do të thosha të fokusohen në shëndetin e tyre së pari dhe të mos dorëzohen pas 1-2 muaj palestre. Rezultatet, ashtu si edhe gjërat e mira e me vlerë, marrin kohë.

Për sa i përket ushqimit do të thosha të konsumojnë ushqimet e freskëta dhe shumëngjyrëshe, pasi çdo ngjyrë në ushqim ka vitamina dhe ushqyes të ndryshëm. Gjithashtu të rrisin konsumimin e ujit dhe proteinës (të bardha vezësh, kos, peshk, gjoks pule etj.).

Së fundi do të rekomandoja suplementet më bazike çdo ditë, si multivitaminë dhe vaj peshku. Ky i fundit ndihmon në uljen e inflamacionit në trup (inflamacioni është goxha i lartë kur ushtrohesh), ndihmon shëndetin e zemrës, lëkurë të shëndetshme etj.

3.Kur mendoni se është sezoni i duhur për të filluar palestrën?

-Në qoftë se fokusi është përmirësimi i shëndetit dhe konfidencës në vetvete do të thosha që momenti i duhur është tani. Jo nesër, jo pasnesër, jo të hënën. Tani, qoftë edhe sikur sot të jetë e enjte pasdite prapë ajo është koha e duhur.

4.Për njerëzit që bëjnë fitness sugjeroni ndonjë regjim ushqimor?

-4-6 vakte janë ideale. Çdo vakt duhet të ketë sasi të mira karbohidratesh, proteinash dhe yndyrash. Mos harroni frutat ose perimet mundësisht me çdo vakt.

P.sh. Mëngjesi mund të jetë 5 të bardha vezësh, 1 vezë të tërë, tërshërë dhe mbase gjysmë banane/mollë.

5.Cilat janë ushtrimet që duhet të bëjnë njerëzit mbi peshë?

-Do të rekomandoja të shtonin ushtrimet kardiovaskulare, si ecje të shpejtë, vrap, biçikletë etj. Mund të fillojnë me 3-4 herë në javë për 30 minuta.  Kjo ndihmon jo vetëm në rënien nga pesha, por edhe në shëndetin e zemrës. Së fundmi do të sugjeroja edhe disa ushtrime me pesha që të formojnë dhe forcojnë trupin.

6.A ka ndikim palestra për njerëzit që janë nën peshë dhe si mund ta rrisin masën muskulare?

-Palestra ka patjetër ndikim edhe në ata persona që janë nën peshë. Do të sugjeroja shtimin e kalorive të shëndetshme, pra më shumë ushqim. Më shumë proteina dhe më shumë karbohidrate. Burim i mirë karbohidratesh do ishin patatet e kuqe (sweet potatoes), orizi, kinoa, frutat etj.

7.Çfarë këshillash keni, veçanërisht për njerëzit e pavullnetshëm?

Nise këtë proces me hapa të vegjël. P.sh. stërvitu vetëm 3 herë në javë. Vendos një orar dhe qëndro konstant me të.

Shikoje stërvitjen si diçka të rëndësishme, si p.sh një intervistë pune apo takim të rëndësishëm që nuk mundesh ta anulosh. Në atë mënyrë, në qoftë se diçka tjetër del në orarin e stërvitjes thjesht kujtoi vetes që nuk mund ta anulosh pasi ke një takim shumë të rëndësishëm (me veten).

Gjej një partner që mund të stërvitesh. P.sh. 1 ose 2 shoqe. Në këtë mënyrë kur ti të përtosh ata/ato do të shtyjnë të shkosh me ta.

Mundohu të flesh minimumi 7 orë gjumë pasi lodhja të bën akoma më shumë dembel/e.

Bëj aktivitete fizike që vërtet i shijon. Disa kanë qejf zumba, por urrejnë vrapin. Atëherë fokusohuni te zumba.