10:07 / E Enjte, 15 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Mos uniteti përballë presidentit Thaçi, opozita me probleme të brendshme

Ka disa muaj që opozita po kërkon që dialogun në Bruksel të mos e udhëheqë presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Në këtë mënyrë, ditë më parë u soll në Kuvend rezoluta e propozuar nga LDK, mirëpo e njëjta rezolutë nuk arriti të kaloi.

Madje, sa i përket kësaj rezolute nuk ishin unik as vet opozita, pasi një pjesë e tyre nuk votoi pro saj.

Që nga ajo kohë opozita nuk ka marrë ndonjë iniciativë tjetër në lidhje me këtë çështje duke treguar se nuk mund të jenë unik përball presidentit.

Sipas analistit, Imer Mushkolaj partitë opozitare nuk e kanë seriozisht betejën kundër Thaçit, përndryshe ata do ishin të gjithë të pranishëm në Kuvend dhe ta votonin këtë rezolutë.

“Partitë në pushtet dhe ato në opozitë nuk mund të jenë unike përballë Thaçit, ngase interesi i partive në pushtet është që të mos prishet koalicioni qeverisës. Po që se partitë në pushtet do ta votonin rezolutën e opozitës, atëherë presidenti do të mund ta çonte vendin në zgjedhje, marrë parasysh ndikimin e tij tek deputetët e PDK-së. Por, duket se as partitë opozitare nuk e kanë seriozisht betejën kundër Thaçit. Po ta kishin seriozisht, atëherë të gjithë deputetët opozitarë do të duhej të ishin të pranishëm në Kuvend dhe ta votonin rezolutën”, ka thënë Mushkolaj.

Sipas tij, VV në njërën anë është duke harxhuar kohë duke u marrë me PSD-në dhe kjo po bën që të mos ketë unitet brenda opozitës.

“Lëvizja Vetëvendosje është duke u rikuperuar pas ndarjes se deputetëve që tash janë pjesë e PSD-së. Kësaj partie ende nuk po i kalon inati se një pjesë e deputetëve i janë ndarë, andaj PSD për të po vazhdon të jetë “armiku” më i madh. Në vend se të merret me partitë në pushtet, VV po harxhon kohë duke u marrë me PSD-në. Kjo po bën që në kampin opozitar të mos ketë unitet dhe, rrjedhimisht, as mundësi reale qoftë për votimin e rezolutës, qoftë për rrëzimin e koalicionit qeverisës”, ka shtuar Mushkolaj.

Njëjtë mendon edhe analisti Behgjet Shala, i cili në një prononcim për Indeksonline ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po lufton me PSD-në, përderisa vet LDK nuk ka kapacitet për ndryshime për faktin se i ka së paku 10 kryetarë potencial.

“Aktualisht opozita nuk paraqet rrezik për Thaçin. Lëvizja Vetëvendosje është ndarë, tash po lufton me PSD. LDK nuk ka kapacitet për ndryshime për faktin se i ka së paku 10 kryetarë potencial.  Thaçin mund ta rrezikojë pozita nëse e kundërshton deri në fund. Thaçin e rrezikon vet Thaçi i cili është kah fundi i karrierës. Autoritarizmi absolut , arroganca agresive , mospërfillja ndaj te tjerëve do e shemb Thaçin. Ndërkombëtaret do ta ndrydhin dhe shtrydhin për ta hedhur në margjina , në azil apo edhe më keq. Thaçi është shkëputur nga populli dhe nuk ka shpëtim. Kosova nuk ka opozitë por ka klientelë në pritje”, ka deklaruar Shala./Indeksonline/