09:49 / E Martë, 15 Maj 2018 / k.v

Mosmbajtja e urinës tek femrat, shkaqet

Inkontinenca urinare, ose ndryshe paaftësia e vezikës për të kontrolluar mbajtjen e urinës, është një problem shqetësues dhe mjaft i shpeshtë që haset si tek femrat ashtu edhe tek meshkujt.

Lindita Myzyri, mjeke gjinekologe në Qendrën Shëndetësore Nr.3, Tiranë, tregon për gazetën “Shëndet +”, shkaqet më të shpeshta të inkontincës urinare. Duke qenë simptomë, ajo lidhet me probleme të tjera shëndetësore si: infeksionet urinare, diabeti, kapsllëku, shtatzënia, mbipesha, menopauza, rrëshqitja e vezikës urinare etj.

Ndërkohë që më tej ajo flet edhe për ndërlikimet, duke theksuar se më së shumti inkontinenca dëmton normalitetin e jetës së vetë personit, rrit mundësinë për infeksione urinare e probleme të lëkurës.

Duke u ndalur në mënyrat e trajtimit, ajo thekson rëndësinë e vlerësimit në fazat fillestare nga ana e vetë pacientit, si dhe thellimin e mjekut në egzaminim për gjetjen e shkaktarëve.

Çfarë është inkontinenca?

Inkontinenca është paaftësia për ta kontrolluar mbajtjen e urinës. Haset si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat. Por, tek femrat haset më shpesh, kjo për shkak të vetë ndërtimit të strukturës anatomike.

Inkontinenca ndahet në disa lloje, por në këndvështrimin si gjinekologe unë do t’i ndajë më dy grupe;

Inkontinecë për shkak të sforcimeve fizike, që do të thotë: një teshtitje, kollitje, qeshje me gjithë zemër, një sforcim duke vrapuar, ngritja e peshave etj.

Inkontinencë për shkak të një x problemi shëndetësor.

Megjithatë, para se të ndalemi këtu, unë do të doja të theksoja se në fakt në vetvete inkontinenca nuk është sëmundje, por shenjë/ simptomë që na çon drejtë zbulimit të një x problemi shëndetësor që mund të ketë kjo femër.

Dhe këtu mund të rendisim:

Inkontinecë për shkak të infeksioneve të rrugëve të poshtme urinare.

Inkontinecë kur është diabetike. Një femër diabetike si çdo person diabetik, shenjat madhore të diabetit ka: pi ujë shumë, ha shumë, djersitet. Kur pi ujë shumë, një person i tillë që vuan nga diabeti, urinon shumë dhe sigurisht nuk e mban dot urinën.

Inkontinencë kur është hipertonike. Pra, pi ilaçet e tensionit që janë me shkarkues brenda dhe nuk e mban dot urinën sepse i duhet shpesh herë të shkojë dhe të urinojë. Shkarkues do të thotë që ngacmon sistemin bashkë me vezikën urinare, që pacienti të urinojë më shpesh për të ulur hipertensionin apo tensionin arterial.

Inkontinecë nga dëmtimet fizike (ka një allçi në këmbë për shembull dhe derisa të shkojë në tualet e ka të kufizuar lëvizjen fizike dhe nuk e mban dot, pra mund të njomi dhe mbathjet).

Mund të kemi inkontinencë kur ka kapsllëk. Organet janë shumë afër njëra tjetrës, pra zorra e trashë, uterusi dhe vezika urinare janë njëra mbi tjetrën. Nëse ka kapsllëk, grumbullimi i masës fekale në zorrë do na bëjë një shtypje të muskujve. Përpos shtypjes së muskujve të vezikës urinare, na bën dhe shtypje të nervave, dhe në këtë mënyrë shtypet vezika urinare dhe femra nuk e mban dot urinën. Në këtë rast, jo vetëm që e ka urinimin e shpeshtë, por mund të kemi dhe mbetje të urinës në vezikën urinare. Kjo do të thotë se kur shkon për të urinuar, vezika urinare nuk zbrazet e tëra dhe kjo e detyron të shkojë shpesh për të urinuar.

Kemi inkontinencë nga shtatzënia. Sikurse e theksuam dhe më lart, organet janë afër me njëri- tjetrin dhe duke u rritur bebi, duke u zmadhuar mitra apo uterusi, na bën shtypjen e vezikës urinare, në mënyrë të veçantë në tremujorin e dytë dhe të tretë, por kryesisht në tremujorin e tretë.

Mund të kemi inkontinecë pas lindjes. Më tepët bëhet fjalë në lindjet natyrale dhe ka të bëjë me peshën e bebit, me zgjatjen e kohës së fazës së lindjes dhe me vështirësinë që ka patur femra për të lindur. Të gjitha këto lidhen përsëri me shtypjen e vezikës urinare dhe me ngacmimin e nervave për të urinuar sa më shpesh.

Kemi inkontinencë në menopauzë. Në menopauzë nuk ndodh më për shkak të shtypjes, siç ndodh tek një grua shtatzënë apo në lindje, por në këtë rast humbet aftësia e muskujve të vezikës urinare. Duke humbur elasticiteti/aftësia, muskuli lëshohet dhe në këtë mënyrë vezika urinare nuk e ushtron më ashtu si duhet, funksionin për të urinuar.

Inkontinecë nga mpipesha. Një femër obeze apo me peshë të madhe trupore, pikërisht nga ai mekanizëm që thamë më lart, pra kemi një komprimim të vezikës urinare ku shtypen jo vetëm muskujt por edhe nervat, kjo femër mund të bëjë inkontinencë urinare.

Inkontinenca urinare është mjaft e shprehur edhe tek ato femra që bëjnë Cystorectocel/ rrëshqitje të vezikës urinare. Pra, kemi rrëshqitje të një pjesë të zorrës së trashë që del në vaginë. Absolutisht këto femra kanë një inkontinencë më të shprehur, ankohen shumë, drejtohen te mjeku sepse tashmë nuk vlerësojnë më fenomenin pse shkoj shpesh në banjo, por rrëshqitjen e vezikës urinare.

Inkontinencë nga konsumimi i alkoolit, kafes e pijeve të gazuara. Jo gjithmonë e kuptojnë njerëzit inkontinencën. Ka raste kur thonë: unë pi sasi të caktuara lëngjesh dhe për këtë arsye shkoj shpesh në banjo. Por, inkontinecë kemi dhe tek ata persona që konsumojnë shumë kafe, shumë kokakola, shumë pije të gazuara apo alkool, edhe kjo bën ngacmimin e nervave të vezikës urinare duke dhënë inkontinecë.

Si dhe sa ndikojnë infeksionet urinare?

Infeksionet urinare kanë ndikim në rrugët e poshtme për të bërë inkontinencë dhe në përgjithësi këto femra ankohen për urinim të shpeshtë, për urinim me fenomene dizaurike (djegie) dhe urinim me porcione.

Më së shumti tek këta femra ndodh moszbrazja e plotë e vezikës urinare dhe për këtë arsye këto femra shkojnë shpesh në tualet. Kjo ndodh jo se ka një problem të mirëfilltë të vetë vezikës urinare, por se për shkak të një x infeksioni që shkakton këtë djegien, kur femra shkon për të urinuar, nga djegia që i jep urina gjatë kalimit të rrugëve urinare, nuk arrijnë dot ta durojnë dhimbjen dhe e ndërpresin urinimin. Kjo bën të nevojshme vajtjen e shpeshtë në tualet dhe zakonisht urinimi tek këto femra ndodh pika- pika.

Me çfarë ndërlikimesh shoqërohet inkontinenca?

Rrit më shumë mundësinë për infeksione urinare.

Dëmton lëkurën. Lëkura vaginale, vulva, deri tek anusi mund të dëmtohen.

Dëmton normalitetin e jetës së vetë femrës duke shkuar shpesh në tualet.

Sa shpesh haset dhe kur haset më shpesh?

Referuar praktikës ambulatore, unë këtu i kam kryesisht pas lindjes (atëherë kur femra ka bërë një lindje të një bebi me peshë të konsiderueshme, nga një lindje e sforcuar, kur ka Cistorektocel ( rrëshqitje të qafës së mitrës, të vezikës urinare dhe të zorrës së trashë), dhe sigurisht në menopauzë, për shkak të dobësimit të muskulit të vezikës urinare, që nuk e ka më atë aftësinë e kontraktimit që ajo ta kryejë mirë funksionin e saj, dhe këto janë dhe rastet më të shpeshta.

Si dhe sa ndikon puna e rëndë fizike?

Puna e rëndë fizike dhe mbajtja e pesha ndikon shumë. Në mënyrë të veçantë në moshat e rritura mbi 40 vjeç. Por, një femër që në moshë të re është përballur me punë të rënda fizike, me ngritje peshash (kjo nuk do të thotë që i ndodh çdo femre sepse ka të bëjë me strukturën, me forcën e çdo lloj organizmi, me forcën e muskulaturës, me ndjeshmërinë etj), në moshën e premenopauzës, apo menopauzës këto femra janë më të riskuara për inkontinencë urinare për shkak të prolapseve që mund të bëjnë, prolaps të qafës së mitrës, prolaps të mitrës, apo cistorektocel.

A e vlerësojnë femrat sa duhet?

Sa i përket vlerësimit, e vlerësojnë, ndoshta nuk e vlerësojnë që në ditët e para, sepse mund të thotë, mos kam pirë ujë shumë, mos ndoshta jam ftohur, do më kalojë etj, por kur vazhdon dhe nuk ju kalon, patjetër që shqetësohen dhe paraqiten.