Mourinho në presion shkaku i rezultateve, Roma identifikon zëvendësuesin e tij

Krerët e klubit të Romës raportohet se e shohin Antonio Conten si zëvendësues të Jose Mourinhos.
Romakët e kanë nisur sezonin në mënyrë të dobët, duke fituar vetëm dy nga shtatë ndeshjet e tyre të para në Serie A.
Roma ka regjistruar edhe dy barazime tjera për të grumbulluar në total tetë pikë, teksa renditet në pozitën e 13-të në tabelë.
Kësisoj, shkaku i rezultateve negative është shtuar presioni mbi Mourinhon.
Fitorja ndaj Frosinone në fundjavë ishte jetike për “Giallorossët”, por nga shumëkush pritet që portugezi të largohet së shpejti nga kryeqyteti italian.
Kontrata e Mourinhos me Romën skadon qershorin e ardhshëm dhe sipas “Sport Mediaset”, klubi mund ta lejojë atë që të largohet. Drejtuesit e klubit thuhet se tashmë kanë identifikuar pasardhësin e “Special One”.
Opsioni kryesor është Antonio Conte, i cili është ende trajner i lirë që prej largimit nga Tottenham Hotspur në mars të këtij viti.
Paga e Contes është rreth 7-8 milionë euro neto në sezon, shifra të larta për Romën. Ai gjithashtu do të kërkonte investime të caktuara në tregun e transferimeve dhe këto mund të përbëjnë problem për t’u arritur një marrëveshje eventuale.
Gjithsesi, mbetet të shihet fillimisht nëse Mourinho do të arrijë që të mbetet te Roma deri në fund të sezonit.