10:37 / E Shtunë, 08 Shtator 2018 / indeksADMonline

MPB deklarohet për ardhjen e Vuçiqit në Kosovë

Në veriun e Mitrovicës tanimë kanë filluar përgatitjet për ardhjen e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Për sigurinë në vend, janë deklaruar edhe përgjegjës të dikastereve përkatëse. Në një prononcim për Indeksonline, Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra ka thënë se janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme që vizita e Vuçiq të kalojë në mënyrë të qetë.

Sipas tij, vizita në fjalë do të respektohet gjithnjë në bazë të lejes që i është dhënë nga MPJ-ja.

“Policia dhe të gjitha institucionet e zbatimit  të ligjit  kanë ndërmarrë të gjitha veprimet që vizita e Presidentit Vuçiq të kalojë d.m.th ashtu siç është paraparë në agjendën e tij në përputhje me lejen që i kanë dhënë institucionet e Kosovës. Ne institucionet e sigurisë i  ofrojmë siguri të plotë që e njëjta të kalojë në qetësi absolute pa ndonjë incident dhe në respektim të ligjeve të aplikueshme në vend”, ka deklaruar Shkodra për Indeksonline.

Më tutje, sa i përket kushteve që Vuçiqit i janë caktuar lidhur me këtë vizitë në Kosovë, i cili nuk guxon që të provokojë me deklaratat e tij, numri dy i MPB për këtë thotë se s’janë kompetent të flasin, megjithatë thekson se do të aplikohen me vendosmëri kushtet e dhënies së lejës së Presidentit serb.

“…Sa i përket kushteve të lejes së Vuçiqit në Kosovë i vendos Ministria e Jashtme dhe Qeveria e Republikës së Kosovës. Kështu të gjitha ato kushte të cilat janë të parapara besoj se do të respektohen dhe besoj të njëjtat do të aplikohen në vendosmëri me rastin e dhënies së lejës së Presidentit, Vuçiq”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, Vuçiq pritet që të vijë në Kosovë në ora 14:00 përmes pikës kufitare në Bernjak, ku nga aty do të vazhdojë në Zubin Potok./Indeksonline/

Gjuriq thotë se Vuçiq në Kosovë do të sjellë vendim në interes të serbëve