22:55 / E Mërkurë, 09 Maj 2018 / indeksADMonline

MPJ ankohet në Bruksel për anulimin e ftesës nga Serbia për deputetët kosovarë

 

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e thellë dhe e konsideron të papranueshme anulimin e pjesëmarrjes së Kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Vjosa Osmani- Sadriu, dhe deputetit, Ilir Deda, në konferencën e titulluar “Përmes idesë së BE-së drejt paqes dhe zhvillimit”, e cila ishte paraparë të mbahet me 11 dhe 2 maj, 2018 në Beograd nga ana e Parlamentit të Serbisë.

“Ky akt i Parlamentit serb nën presionin e ultra-nacionalistit, Vojisllav Sheshel, i cili është dënuar për krime lufte tregon edhe njëherë mungesën e vullnetit në Beograd për promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe zhvillimin e bashkëpunim rajonal”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Sipas tyre është për keqardhje që pikërisht në Ditën e Evropës, autoritetet në Beograd kanë treguar sjelljen e tyre anti-evropiane ndaj Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar.

Ministria e Punëve të Jashtme do ta shtrojë këtë çështje para përfaqësuesve të Bashkimit Evropian si lehtësues të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./Indeksonline/