19:04 / E Enjte, 23 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Muhaxhiri: Zhgënjyese dhe e turpshme mungesa e reformës zgjedhore

Analisti Artan Muhaxhiri ka folur në Info Magazine të Klan Kosovës për reformën e munguar zgjedhore, të cilën e ka cilësuar faj të partive, përkatësisht rrjedhojë të mosvullnetit të tyre të skajshëm për t’u marrë me këtë çështje para nisjes së procesit zgjedhor.

Ai ka thënë se ndryshimi i fituesit të balotazhit në Istog, pas numërimit të votave me kusht dhe atyre përmes postës, e ka goditur direkt Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Për LDK-në, Istogu ka vlerë historike, sidomos sa i përket mitit të Ibrahim Rugovës. Në të gjitha vitet e pasluftës është udhëhequr nga LDK-ja dhe kjo që ndodhi sot është rezultat traumatik për këtë parti, megjithëse zyrtarët e saj, përfshirë edhe kryetarin Isa Mustafa, deklaruan se nuk do ta pranojnë këtë rezultat”.

“Duket se tash edhe Gani Dreshaj do ta ketë problem të festojë derisa të konfirmohet krejt ky proces”.

“Është absolutisht i papranueshëm fakti se edhe 18 vjet pas luftës ne ende flasim për lista të papastruara të votuesve dhe probleme tjera zgjedhore, që krijohen sipas interesit të partive”.

“Asnjë parti kurrë nuk e ka pasur vullnetin të punojë në këtë drejtim”.

“Kjo sjellje e subjekteve politike është tejet e padrejtë në raport me qytetarin, që përballet me probleme fundamentale, dhe të cilit tash i imponohet ky proces i stërzgjatur zgjedhor”.

“Është zhgënjyese, e pafalshme dhe e turpshme që reforma zgjedhore nuk është kryer deri tash”.