08:24 / E Enjte, 30 Mars 2023 / AR

Muller paralajmëron Dortmundin: Ndaj tyre, si ndaj PSG-së

Bundesliga rikthehet pas pauzës së kombëtareve me pjatën e saj më të fortë: “Der Klasikker”, në program këtë të shtunë në 18:30.

Bayern Mynih-Borusia Dortmund, “armiqtë” e mëdhenj përplasen këtë të shtunë në një akt të jashtëzakonshëm rivaliteti, që vlen më së paku kryesimin në futbollin gjerman, por që mund të rezultojë edhe një gur i rëndë në luftën për titullin kampion.Dortmundi udhëton drejt rivalëve bavareze me 1 pikë më shumë në krye të klasifikimit, çka e bën sfidën edhe më të zjarrtë me ish trajnerin e Borussias, Thomas Tuchel që debuton pikërisht ndaj ngjyrave verdhezi në stolin e Bayern.

Thomas Muller është një nga ata që e dinë se çfarë duhet për të mundur Borussian e Dortmundit. Ai gjithashtu e di se si ndihesh kur humbet ndaj tyre, teksa shpjegon pikë së pari si e presin këtë përballje.

“Synimi ynë është të fitojmë titullin e Bundesligës. Në kërkojmë të jemi gjithmonë të suksesshëm dhe kjo nuk ka ndryshuar. Ne jetojmë për momente si ato kur luan në shtëpi ndaj PSG dhe i gjithë stadiumi të mbështet. Janë emocionet se përse ne stërvitemi. Tani e njëjta skenë është ngritur pasi në Klasike do të kemi të njëjtat emocione, por ne na duhet të punojmë shumë për këtë”, tha Muller.

Bayerni nuk ka humbur në shtëpi në Bundesliga përballë Dortmundit që nga 2014-a. Muller e ka një shpjegim se si bavarezët ia kanë dalë ta dominojnë kaq shpesh këtë sfidë veçanërisht në Mynih.

“Borussia e Dortmundit është dhe gjithmonë ka qenë një skuadër që do të luajë futboll sulmues. Ajo ka lojtarë të mirë në sulm. Kjo do të thotë se është diçka normale që ka shënuar shumë gola në këto ndeshje. Rekordi ynë ndaj tyre duket i mirë dhe e kemi ndier këtë në vitet e fundit, ndaj duam të vazhdojmë. Kur shikon Dortmundin tani ata kanë patur rezultate shumë të mira dhe pësojnë më pak gola, kështu që të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh lideri bavarez.

Si rrallëherë në këtë sfidë Dortmundi vjen duke i parë nga lart poshtë në klasifikim rivalët e vjetër, diçka me të cilën Muller natyrisht nuk është mësuar.

“Është një ndjesi e keqe, sepse më parë duhet të vendosësh këmbët në tokë pasi ke rrëshqitur. Kjo ndodhi me ne në javën e fundit të kampionatit dhe pas asaj humbje me Leverkusen jemi ndier vërtet keq. Tani na duhet të fitojmë kundër Dortmundit. Do të shkojmë për tifozët tanë në “Allianz Arena” me ndeshje si ajo ndaj PSG në mendje. Ne jemi mësuar të luajmë nën presion dhe rëndësia e kësaj ndeshjeje është shumë më e madhe se sa ka qenë në vitet e kaluar për shkak të situatës aktuale”, deklaroi veterani gjerman./ Super Sport