22:07 / E Enjte, 07 Qershor 2018 / indeksADMonline

Mungesa e deputetëve në seanca, hapet debati për ndërprerjen e mëditjeve

Mungesa e kuorumit në seancat e Kuvendit të Kosovës, ka hapur një debat se duhet apo jo t’iu ndalen  mëditjet deputetëve për mos prezencë.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një prononcim për RTV Dukagjinin, penalizmin e mundshëm të deputetëve po e sheh vetëm si një nga mënyrat e ndëshkimit.

“Ndalesa e mëditjeve duhet të jetë vetëm pikënisje, mirëpo nuk duhet të përfundonte këtu. Deputetët duhet të jenë përgjegjës, dhe nëse nuk kanë përgjegjësi për punën e tyre, ata duhet të penalizohen me heqje të mëditjeve, por penalizmi mundë të shkojë edhe deri te marrja e mandatit nëse nuk e përmbushin atë”, është shprehur Murati, por ka thënë se rregullorja e Kuvendit nuk e parashikon ndëshkimin e tillë.

Deputeti i grupit parlamentar të LDK-së, Korab Sejdiu, thotë se heqja e mëditjeve bazë juridike nuk ka, por mos prezenca në seanca është një shprehje politike.

“Më duhet të theksoj se bazë juridike për heqjen e mëditjeve deputetëve nuk ka. Por edhe mos prezenca në seanca është një shprehje politike”, ka thënë deputeti Sejdiu për RTV Dukagjinin.

Deputeti i PDK-së, Andin Hoti është shprehur në favor të heqjes së mëditjeve për deputetët që mungojnë në seanca të Kuvendit.

“Jam shumë pro heqjes së mëditjeve për ata deputetë që nuk vijnë në seanca dhe komisione. Por deputetët e tillë nuk mendoj se mërziten shumë për mëditje, është shprehur deputeti Hoti, i cili e ka dhënë një ide se si mundë të evitohet ky fenomen.

“ Këtyre deputetëve t’u ndalohet udhëtimi jashtë vendit, pasi një mëditje nga udhëtimi ndoshta mbulon dhjetë mëditje që marrin nga seancat e Kuvendit”, ka shtuar më tej deputeti Andin Hoti.