10:53 / E Hënë, 15 Janar 2018 / indeksADMonline

Mungojnë injeksionet ‘Entanercep’ pacientët shpenzojnë shumë para në muaj (Video)

22 pacientët e Reumatologjisë së QKUK-së, që vuajnë nga (Artritis Reumatoid), nuk kanë arritur të kenë medikamentet e nevojshme dhe mungesa e një lloji të tyre po vështirëson jetën e këtyre pacientëve.

Zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se për shkak të buxhetit të limituar nuk është siguruar me sasi të nevojshme medikamenti, Enbrel(Enterarcept 50mg).

Nga kjo sëmundje thuhet se nuk ka shërim por që mund të parandalohet, e që injeksioni i cili duhet të merret në Klinikën e Reumatologjisë nuk është siguruar në sasi të duhur, që po shkakton probleme për pacientët me këtë sëmundje.

Ineksionet ‘Etanercep’ duhet të merren çdo javë, sipas udhëzimeve të mjekëve.

“Të parën e kam marrë prej 2 qershorit më pas kemi pauzuar dhe më s’kam marrë deri më 22 korrik. Më pas më 28 korrik, muaji ngushtë me 4, 18,25 dhe 31, pra në këtë muaj i kam marrë me rregull. Prej shtatorit vetëm një, pra 3 muaj ditë deri më 21 dhjetor edhe më 28 dhjetor, edhe më 4 janar një. Ne kemi ndërkreje të shumta. Ne kemi apel që të mos na ndërprehen injeksionet pasi nëse ndërprehen ne na keqësohet gjendja. Nëse nuk ndërprehet, kemi përmirësime më të mira. S’mund t’i blejë vetë pasi nuk ka kushte”, ka thënë Mensur Plakolli njëri nga pacientët që vuan nga kjo sëmundje.

Gjithashtu Rabishe Sylejmani, paciente tjetër ka thënë se për këtë sëmundje i duhet të shpenzojë  shumë para.

“Në fillim ka qenë që pamja më ka humbur edhe këmba më është dobësuar.Më pas kam filluar me trajtim, kam gjilpëra të cilët kushtojnë 200 euro për t’i marrë.Nuk janë në spital duhet t’i porosisim t’i marrim në barnatore vetë. Çdo javë e marrë nga një. 4 copa në muaj, 200 euro. Kam arritur t’i sigurojë vetëm nga familja, pra çdo muaj 200 euro.Të paktën dy herë në javë analizat tona kushtojnë një herë, 25 euro, pra 500 euro muaji del me të gjitha shpenzimet për terapinë”, ka thënë pacientja Sylejmani, transmeton Indeksonline.

Kurse Drejtori i Klinikës së Reumatologjisë, Avni Kryeziu ka thënë se pacientët kanë nevojë për trajtimin me këto medikamente dhe se duhet të merret dy herë në javë teksa mjekimi zgjatë 12 javë për të parë efektin që duhet. Sipas tij nëse duhet më pas vazhdohet në 6 muaj e më gjatë.

Në këtë klinikë thuhet se nuk mungon vetëm Entenercepti por edhe medikamente të tjera. Ndërkohë pacientët e QKUK-së (reparti i reumatologjisë) kishin bërë edhe një peticion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, për sigurimin dhe furnizimin me medikamente  për ata që trajtohen me Enbrel (Etanercept).

Zyrtarë nga kjo Ministri përmes postës kanë thënë se furnizimi me medikamente për klinika shkon përmes Fondit të Sigurimeve dhe sipas tyre mungesa e buxhetit e ka pamundësuar furnizimin me sasi të nevojshme për këtë klinikë.