15:36 / E Hënë, 07 Maj 2018 / indeksADMonline

Murati: Pavarësia e Kosovës, produkt i punës së Bahri Fazliut me shokë

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka bërë homazhe pranë varrit të Bahri Fazliu në 20 vjetorin e rënies së tij.

Pas homazheve ku ishte së bashku me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, Murati e ka çmuar lartë veprën e Fazliut për liri.

Përmes një postimi në Facebook, Murati tha se Pavarësia e Kosovës, është produke i punës së dëshmorëve si Bahriu me shokë.

“Sot 20 vjet na la Bahri Fazliu, njëri ndër ideologët e luftës çlirimtare dhe bashkimit kombëtar, themelues i LKÇK-së, kryeredaktor i “Çlirimit”, luftëtar u lirisë, intelektual i gjithanshëm, e mbi të gjitha një humanist i madh. Një njeri i dashuruar në lirinë e popullit të tij, dhe që e ka urryer robërinë dhe politikën që na ka mbajt nën robëri. Jeta, lufta, përpjekjet dhe rënia e tij janë simboli më i denjë i luftës së popullit tonë për liri e bashkim kombëtar. Pavarësia e Kosovës, është produkt ndër të tjera i punës së dëshmorëve si Bahriu me shokë. Ne të gjallëve na mbetet që këtë pavarësi ta forcojmë, ta bëjmë një shtet të denjë, me sundim të ligjit e mirëqenie sociale e të krijojmë kushtet që Kosova të ketë mundësi të deklarohet për bashkim me Republikën e Shqipërisë si pjesë e realizimit të idealeve të dëshmorëve”, ka shkruar ai./Indeksonline/