22:17 / E Premte, 03 Gusht 2018 / indeksADMonline

Murati: Ridefinimi i kufijve krijon parakushtin themelor për bashkim

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka vlerësuar se ridefinimi i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë ua ka futur frikën në palcë një pjese të njerëzve, të cilët ai i quan “kosovarët ahtisaarian”, se mos krejt ky proces po përfundon me zhbërjen e shtetit të Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë.

Postimi i Muratit në Facebook:

Ridefinimi i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë ua ka futur një pjese të njerëzve, do t’i kisha quajtur “kosovarët ahtisaarian” frikën në palcë se mos krejt ky proces po përfundon me zhbërjen e shtetit të Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë.

Është e vërtetë se ridefinimi i kufijve krijon parakushtin themelor për bashkim, atë të ndryshimit të kushtetutës së Kosovës dhe mundësinë e aplikimit të referendumit.

Pra, kjo do të thotë që Kosovën e bën shtet me të vërtet sovran, funksional dhe me mundësi shumë të mëdha të lojalitetit të qytetarëve ndaj kësaj pavarësie.

Ata që janë kundër ridefinimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë ndahen në dy grupe: në ata të cilët duan që Kosova të mbetet kështu si është, me një kushtetutë që e mban shtet jonfunksional, me një asociacion që duke e rritur jofunksionalitetin i bën pjesë të mëdha të territorit të paqeverisshme, me një konflikt shqiptaro-ser b gjithnjë latent e me rrezik shpërthimi, e që rrjedhimisht Kosovën e lë të varur nga Serbia përmes privilegjeve të pakicës serbe; dhe, ata që janë të pavetëdijshëm për pasojat e qëndrimit të tyre. Është e pavërtetë të thuash se e dua shtetin e Kosovës, nëse nuk e do atë si shtet sovran.