23:33 / E Mërkurë, 20 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Mushkolaj dhe Beqaj e vlerësojnë punën 100 ditëshe të Haradinajt

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka dorëzuar raportin e punës në 100 ditët e para të punës së tij. Dinamizmi është veçoria kryesore me të cilën është shquar Haradinaj në 100 ditët e para. Analistët e vlerësojnë në dy aspekte punën e kësaj qeverie.

Imer Mushkolaj ka thënë se punën që ka premtuar Haradinaj duan më shumë kohë.

“Haradinaj ka dhënë premtime që nuk kanë mujt me u realizu për 100 ditë, kam parasysh këtu dy çështje kryesore që ka thënë se do kryhen gjatë tre muajve siç është liberalizimi i vizave dhe transformimi i FSK-së në ushtri. Këto janë dështimet më të mëdha të zotit Haradinaj gjatë këtij 100 ditëshi”, tha Mushkolaj.

Ndonëse nuk i ka mbajtur të gjitha premtimet, Mushkolaj e vlerëson punën e tij, sa i përket shpenzimeve të parasë publike.

Sipas tij, Haradinaj ka treguar në detaje çdo cent të shpenzuar nga Qeveria e tij.

“Në anë tjetër është shfaqë detajisht si është shpenzu paraja publike, çoftë tek rasti i shpronismit të pronave në Hade dhe Shipitullë, çoftë tek falja e borxheve prej 48 milionësh për prodhuesit e ujit, çoftë për shpërndarjen e parave për familjarët e rastit Kumanova, çoftë për milionat që do shpenzohen gjatë qeverisjes së tij për pagat e numrit shumë të madh të zëvendësministrave dhe të privilegjeve të tyre”, shtoi tutje Mushkolaj.

Kurse Behlul Beqaj e ka kritikuar qeverinë Haradinaj për ndarjen e mjeteve financiare.

“Qeveria në 100 ditët e para ka patur vendime volunariste duke u nisur nga Hadja, Shipitulla, heqja e taksave, ndarja e mjeteve financiare sikur të ishin para private, kontrata e dyshimte e termocentralit së për folur dhe gara për të hyrë në librin e rekordeve për zëvendësministra. Ndoshta është punuar shumë në qeveri, por efekti i punës ende nuk po ndihet në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Premtimi kryesor për demarkacionin si dhe premtime tjera janë sfida para të cilave gjendet kjo Qeveri aventuriste”, ka thënë Beqaj./Indeksonline/