13:58 / E Enjte, 20 Prill 2023 / AR

Musk “kërcënon” Microsoft: Kanë përdorur ilegalisht të dhënat e Twitter

Shefi i Twitter, Elon Musk, ka kërcënuar se do të padisë Microsoft-in, pasi akuzoi gjigantin e teknologjisë për përdorimin e të dhënave nga Twitter pa leje.

“Kanë përdorur ilegalisht të dhënat e Twitter. Koha e padisë,” tha multimiliarderi në një postim në Twitter .

Musk po i përgjigjej planit të Microsoft për të hequr Twitter nga platforma e tij e reklamave. Kompania tha në një njoftim se platforma e saj e reklamave “nuk do të mbështesë më Twitter” nga e marta 25 prill. Si rezultat, blerësit e reklamave nuk do të jenë në gjendje të hyjnë në llogaritë e tyre në Twitter përmes mjetit të menaxhimit social të Microsoft.

“Kanale të tjera të mediave sociale si Facebook, Instagram dhe LinkedIn do të vazhdojnë të jenë të disponueshme”, tha Microsoft.

Në një postim të veçantë në Twitter , në diskutimin rreth të dhënave të platformës së mediave sociale, Musk tha se ishte “i hapur ndaj ideve”.

“Por heqja e bazës së të dhënave të Twitter, demonetizimi i saj (heqja e reklamave) dhe më pas shitja e të dhënave tona te të tjerët nuk është një zgjidhje”, shtoi ai.

Në shkurt, Twitter filloi të tarifojë për të dhënat që mbledh nga “qindra miliona” përdorues, me një plan bazë që fillon nga 100 dollarë në muaj.

Të dhënat i lejojnë përdoruesit të “menaxhojnë dhe gjurmojnë çdo aspekt të pranisë tuaj në mediat sociale”, sipas platformës .