08:51 / E Martë, 26 Prill 2022 / OSH

Musk pas blerjes së Twitterit: Liria e fjalës është themeli i demokracisë

Miliarderi Elon Musk, ka reaguar për herë të parë pas blerjes së rrjetit social Twitter.

Ai përmes një deklarate në profilin e tij në këtë platformë, ka thënë se dëshiron ta bëjë Twitterin më të mirë, duke e përmirësuar me veçori të reja.

Musk ka premtuar një seri ndryshimesh, duke filluar nga relaksimi i kufizimeve të përmbajtjeve e deri te fshirja e llogarive.

“Liria e fjalës është themeli i demokracisë dhe Twitteri është një treg digjital ku diskutohen çështje jetike për të ardhmen e njerëzimit. Unë gjithashtu dua ta bëj Twitterin më të mirë, duke e përmirësuar atë me veçori të reja, duke bërë algoritme besimi me burim të hapur, duke mposhtur robotët dhe duke e konfirmuar autenticitetin e gjithë njerëzve. Twitter ka potencial të madh – mezi pres të punoj me kompaninë dhe komunitetin e përdoruesve për ta zhbllokuar atë,” shkroi ai.

Twitter fillimisht kishte refuzuar ofertën prej 44 miliardë dollarësh të Muskut. Por ai insistoi në blerje, duke deklaruar se është personi i duhur për të zhbllokuar potencialet e jashtëzakonshme të këtij rrjeti social.

Sipas revistës Forbes, Musk është personi më i pasur në botë, me pasuri afro 276.6 miliardë dollarë, që kryesisht është falë aksioneve të tij në prodhimin e veturave elektrike Tesla, firmë të cilën e drejton ai. Musk gjithashtu posedon edhe firmën SpaceX.