13:18 / E Premte, 05 Gusht 2022 / MSH

Nagavci e shqetësuar rreth plagjiaturës në UP

Në një reagim përmes rrjetit social facebook ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka shprehur shqetësim rreth rasteve të plagjiaturave pasi, që siç ka thënë ajo plagjiatura konsiderohet si forma më e rëndë e shkeljes së etikës akademike.

“Me shqetësim kam pranuar njoftimet për verifikim të rasteve të plagjiaturës nga ana e personelit akademik të Universitetit të Prishtinës. Ndonëse plagjiatura konsiderohet si forma më e rëndë e shkeljes së etikës akademike, jam e vetëdijshme se trajtimi i denoncimeve për plagjiaturë nga organet përkatëse të institucioneve akademike është sfidues. Mirëpres shqyrtimin e rasteve nga Këshilli i Etikës të UP, por konsideroj se masat e shqiptuara të pezullimit nga mentorimi i punimeve të diplomës nuk janë adekuate, sepse nuk shpërfaqin gjykimin shoqëror në raport me praktikat e tilla brenda komunitetit akademik dhe nuk i dekurajojnë ato.

Ministrja Nagavci ka shtuar se, pret nga organet përgjegjëse të Universitetit që t’i rishikojnë masat e shqiptuara nga Këshilli i Etikës, duke siguruar respektimin e standardeve të ndershmërisë akademike brenda institucionit.

“Si Ministre e Arsimit do t’i drejtohem Këshillit Drejtues të UP-së me kërkesë që të gjitha organet e universitetit t’i trajtojnë me seriozitet këto dhe rastet e ngjashme. Me Projektligjin e ri për arsimin e lartë, i cili së shpejti do të jetë në diskutim publik kemi paraparë masa të veçanta për parandalimin e të gjitha formave të cenimit të integritetit akademik, përmes formimit të Komitetit Etik në nivelin qendror, si dhe obligimit që të gjitha institucionet e arsimit të lartë të kenë këshilla të etikës. Gjendjen në Universitetin e Prishtinës nuk e kemi të mirë dhe kjo është evidentuar së fundmi edhe në ranglistën prestigjioze “Webometrics”, sipas të cilës vazhdon rënia e UP-së në rangim. Kjo është e papranueshme dhe s’mund të vazhdojë. Urgjentisht duhet të bëjmë ndryshime që të përmirësojmë këtë gjendje”, ka shkruar Nagavci.

Ajo ka kërkuar që stafi akademik të jenë persona me integritet e kredibilitet të lartë profesional e personal.