75 Mall Live Search
22:50 / E Shtunë, 10 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Napolin s’e ndal as shiu, fitore cinike ndaj Genoas

Napoli ka shënuar një fitore mjaft të rëndësishme në garën për titull të Series A.

Përkundër kushteve të rënda atmosferike, napolitanët arritën të përmbysin rezultatin.

Edhe pse pësoi e para gol në minutën e 20-të (realizoi Kouame), skuadra napolitane gjeti forca për të reaguar, duke përmbysur rezultatin në 1-2 në pjesën e dytë.

Reshjet e dendura të shiut e detyruan gjyqtarin kryesor Abisso që në minutën e 60-të ta ndërpriste ndeshjen, pasi terreni ishte rënduar se tepërmi, me skuadrat që u rikthyen në fushë pas rreth 10 minutash.

Kjo pauzë duket se i solli fat Napolit, që në minutën e 62-të barazoi me Fabian Ruiz, i cili u la i lirë të godiste portën në një pozicion ballor. Të besuarit e Carlo Ancelottit u treguan cinikë në minutat e mbetura dhe në 86-ën shfrytëzuan terrenin e rrëshqitshëm duke e detyruar Biraschin ta devijonte topin në portën e tij.

Ky ishte goli i fundit i këtij takimi, i fituar ndoshta edhe me pak fat nga Napoli, që ngjitet në vendin e dytë me tri pikë më shumë se Interi, që luan këtë të diel kundër Atalantës në Bergamo. /Indeksonline/

Temat: