19:39 / E Premte, 05 Tetor 2018 / indeksADMonline

NATO nuk kundërshton ushtrinë, ka një kërkesë nga Kosova

Në prag të formimit të ushtrisë, Kosova ka marrë mbështetjen e NATO’s. Kjo e fundit kërkon që gjatë këtij procesi të konsultohen ‘të gjithë aleatët’ dhe ‘pakicat’.

Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë miratuar me shumicë votash tri projektligjet e nevojshme për shndërrimin e FSK’së në ushtri.

Projektligjet do të dërgohen së shpejti në parlamentin e Kosovës. Në këtë fazë NATO nuk kundërshton një proces të tillë.

“Çdo iniciativë për ndryshim mandati të FSK’së është mirë të konsultohet plotësisht me të gjitha komunitetet në Kosovë dhe me aleatët e NATO’s”, thuhet në një përgjigje të NATO’s për BIRN.

NATO është e bindur se FSK është forcë profesionale dhe burim i stabiliteti ne rajon, derisa thekson se Aleanca do të mbetet e angazhuar për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin në vend nëpërmjet KFOR’it.

Vitin e kaluar institucionet në Kosovë dështuan të formojnë ushtrinë me anë të ndryshimeve kushtetuese pasi kjo kërkon votën e 2/3 të të gjithë deputetëve dhe 2/3 e 20 deputetëve joshqiptarë.

Deputetët serbë në Kosovë që kanë 10 nga 20 ulëset e rezervuara në Kuvend kanë bllokuar në vazhdimësi iniciativën për shndërrimin e FSK’së në ushtri.

Kryeministri Ramush Haradinaj ditë më parë tha se ka marrë mbështetjen e SHBA-së për formimin e ushtrisë së Kosovës.