11:15 / E Premte, 15 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

NBA, Warriors dhe Cavs bëjnë detyrën, Hawks dhe Mavericks në krizë

Golden State Warrios dhe Cleveland Cavaliers, dy finalistet e sezonit të kaluar në NBA, koleksionuan fitoret e radhës në ndeshjet respektive pikërisht ndaj Dallas Mavericks dhe Los Angeles Lakers. Kampionët në fuqi iu imponuan 112 – 97 kundërshtarëve nga Dallasi, që po zhvillojnë një sezon shumë të dobët, aq sa mbyllin klasifikimin në Konferencën e Perëndimit. Kevin Durant dhe Klay Thompson, respektivisht me 37 dhe 25 pikë, udhëhoqën Warrios drejt suksesit të 23-të sezonal në një takim ku nuk u ndie mungesa për arsye dëmtimi e dyshes Curry-Green.

Los Angeles Lakers e vuri në vështirësi serioze Clevbelandin vetëm gjatë pjesës së parë në “Quicken Loans Arena”, por më pas Cavs morën kryesimin për të mos e lëshuar deri në rënien e sirenës për përfundimit e ndeshjes, me tabelën elektronike që shënonte rezultatin përfundimtar 121 – 112. Kevin Love realizoi 28 pikë, dha 3 asist dhe kontrolloi 11 topa poshtë koshit, ndërsa James shtoi edhe 25 pikë të tjera. LeBron në fakt shkëlqeu edhe më 12 asist dhe po kaq rikuperime. “Mbreti” James barazoi rekordin e Larry Bird me 59 “triple double” në karrierë.

Vijon kriza e Atalnta Hawks, që u mposht 95 – 101 në parketin e saj nga Detroit Pistons. Arrin suksesin jashtë shtëpisë edhe New York Nicks, që fitoi derbin e “Mollës së Madhe” ndaj Brooklyn Nets 104 – 111 falë paraqitjes së mirë të Lee, ndërsa Minessota Timberwolves mposhti me 23 pikë diferencë, 119 –  96 Sacramento Kings. Towns i vendasve rezultoi më i miri mbi parket me 30 pikë, 5 asist dhe plot 14 rikuperime.

 

Atlanta Hawks – Detroit Pistons 91-105

Brooklyn Nets – New York Knicks 104-111

Cleveland Cavaliers – Los Angeles Lakers 121-112

Minnesota Timberwolves – Sacramento Kings 119-96

Golden State Warriors – Dallas Mavericks 112-97