Ndahen dhjetëra mijëra euro për serverët e ZRRE-së
Agjencia Qendrore e Prokurimit ka njoftuar një aktivitet të ri të prokurimit për furnizim me serverë, për nevojat e Zyra e Rregullatorit për Energji.
Sipas njoftimit për kontratë, bëhet fjalë për një procedurë të hapur të prokurimit që synon të pajisë ZRRE-në me serverë, ndërsa kontrata është klasifikuar si furnizim dhe do të realizohet përmes blerjes direkte të pajisjeve.
Dokumenti nuk jep detaje të hollësishme mbi numrin apo specifikat teknike të serverëve, por kërkon që operatorët ekonomikë të paraqesin katalogë teknikë dhe autorizime zyrtare nga prodhuesit ose distributorët e autorizuar për produktet që do të ofertohen, shkruan IndeksOnline.
Në dosjen e tenderit është paraparë që operatorët ekonomikë të dëshmojnë se janë të autorizuar për shitjen e pajisjeve në territorin e Kosovës, përmes autorizimeve nga prodhuesit apo distibuesit zyrtarë.
Po ashtu, kompanitë duhet të dorëzojnë katalogë me karakteristikat teknike të pajisjeve, duke specifikuar modelin dhe parametrat e saktë të serverëve që ofrojnë.
Vlera e parashikuar e kontratës është 40 mijë euro, ndërsa kohëzgjatja për realizimin e furnizimit është 30 ditë nga momenti i dhënies së kontratës.
Autoriteti kontraktues ka vendosur si kriter për dhënien e kontratës “çmimin më të ulët”, çka nënkupton se fitues do të shpallet operatori ekonomik që plotëson kriteret teknike dhe administrative, duke ofruar ofertën më të lirë financiare./IndeksOnline/

