07:26 / E Mërkurë, 11 Tetor 2017 / indeksADMonline

Ndërkombëtarët: Të drejtat e LGBTI janë të drejtat e njeriut

“Parada e Krenarisë”! Kështu u titullua parada e komunitetit LGBTI, e cila u mbajt për herë të parë dje në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.

Në këtë parade, pos organizatorëve e përfaqësuesve të LGBTI-së, morën pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ai i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell e shumë qytetarë të tjerë, shkruan “Zeri.info”.

Mirëpo, për dallim prej tyre, në Paradën e Krenarisë munguan kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, si dhe kryeparlamentari Kadri Veseli. Nga zyra për informim e shefit të ekzekutivit, mospjesëmarrjen e Haradinajt e arsyetuan me agjendën e ngjeshur që kryeministri pati gjatë së martës.

Nga ana tjetër, ambasada amerikane dhe ajo e Britanisë në Kosovë (drejtuesit e së cilave qenë prezentë në paradë), konsideruan se liria dhe drejtësia mund të gjykohen se si një shoqëri i trajton pjesëtarët e saj më të margjinalizuar.

Sipas tyre, shoqëritë më të forta janë ato, në të cilat të gjithë qytetarët mund të jetojnë lirshëm, pa frikë nga dhuna apo diskriminimi, përfshirë edhe personat LGBTI. Ata po ashtu, konsideruan se të drejtat e këtij komuniteti duhet të mbrohen, meqë ato janë të drejta të njeriut.

Thaçi: S’do të lejojmë që Kosova të jetë kërcënim i ndonjë grupi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte i vetmi nga krerët institucionalë të Kosovës, që mori pjesë në paradën e LGBTI-së gjatë ditës së djeshme. Me këtë rast, duke u zotuar se Kosova s’do të jetë vend i frikës, i pari i shtetit tha se institucionet e përkrahin këtë komunitet.

“Jam këtu për të shprehur përkrahjen institucionale për komunitetin LGBTI dhe për të konfirmuar se në Kosovë të gjitha komunitetet janë të barabarta dhe se shteti është i ndërtuar mbi të drejtat e të gjithëve. Nuk do të lejojmë që Kosova të jetë frikë apo kërcënim i ndonjë grupi. Ne i mbrojmë të gjitha të drejtat e njeriut. Institucionet e Kosovës e përkrahin çdo qytetar të Kosovës në bazë të Kushtetutës dhe Ligjeve të Kosovës”, u shpreh Thaçi.

Ndërkaq, shefi i qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk mori pjesë fare në Paradadën e Krenaisë. Zyrtarë nga kabineti i tij, e arsyetuan mospjesëmarrjen me agjendën e ngjeshur që kryeministri pati gjatë ditës së djeshme.

Ambasda amerikane: Të drejtat për LGBTI, të drejta të njeriut

Mirëpo, për dallim prej tij dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili po ashtu nuk qe i pranishëm, ambasadori amerikan, Greg Delaëie dhe ai i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, ishin prezentë aty.

Ambasada Amerikane në Kosovë ka konsideruar se të drejtat e komunitetit LGBTI duhet të mbrohen.

“Ne besojmë fuqishëm se të drejtat për komunitetin LGBTI janë të drejtat e njeriut dhe si të tilla duhet mbrojtur. Jemi të lumtur të shohim kaq shumë pjesëmarrës entuziastë në festimin e sotëm të ‘Pride Day’”, thuhet në përgjigjen e ambasadës dhënë “Zërit”.

Ambasada britanike: Shoqëri të forta, ato ku qytetarët jetojnë lirshëm

Ndërkaq, Ambasada Britanike në Kosovë duke folur rreth Paradës së Krenarisë, ka konsideruar se një shoqëri e lirë respekton të drejtat e të gjithëve.

“Një shoqëri e lirë respekton të drejtat e të gjithëve. Liria dhe drejtësia mund të gjykohen se si një shoqëri i trajton pjesëtarët e saj më të margjinalizuar”, thuhet në një përgjigje dhënë “zërit”.

Më tej, ambasada thotë se Britania është përkushtuar për mosdiskriminim të çfarëdo lloj arsyeje. Sipas saj, shoqëritë më të forta janë ato në të cilat të gjithë qytetarët mund të jetojnë lirshëm, përfshirë edhe personat LGBTI.

“Mbretëria e Bashkuar është e përkushtuar ndaj mosdiskriminimit për çfarëdo arsye, përfshirë orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Shoqëritë më të forta, më të sigurta dhe më të begatshme janë ato në të cilat të gjithë qytetarët mund të jetojnë lirshëm pa frikë nga dhuna apo diskriminimi dhe ku të gjithë qytetarët, përfshirë edhe personat LGB&T, mund të luajnë një rol të plotë dhe aktiv në shoqëri. Çdokush duhet të ketë mundësi të barabarta në jetë pa marrë parasysh kush janë apo ku janë, ose kë e duan ata”, thuhet më tej.

E në paradën e Krenarisë dje, kanë folur edhe pjesëtarët e LGBTI-së, të cilët kanë thënë se kanë dashni për të gjithë, edhe për ata që i urrejnë. Lendi Mustafa, pjesëtar i komunitetit LGBTI (21 vjeçar), tha se dita e djeshme ka përbërë momentin më të mirë të jetës së tij.

“Ky është momenti më i mirë në jetën time. Këtu po e ngris zërin për krejt ata që nuk mund të dëgjohen, për të drejtën për të qenë të barabartë. Ne duam të jetojmë të lumtur pranë njëri-tjetrit dhe jo ta nënçmojmë njëri- tjetrin. Në këtë botë ka hapësire për dashuri dhe jo urrejtje, më shumë se urrejtja na duhet humanizmi. Nuk po flas vetëm për dashninë emocionale, po për atë që gjithë njerëzimi mund ta ketë. Ne jemi këtu për të rrezatuar dashninë dhe për ata që na kundërshtojnë, sepse besojmë edhe në diversitet, kemi dashni edhe për ata që na urrejnë”, tha Mustafa.