75 Mall Live Search
15:16 / E Hënë, 29 Janar 2018 / indeksADMonline

Ndotja e madhe e ajrit, rrit numrin e fëmijëve të sëmurë

Për vite me radhë gjatë dimrit, cilësia e ajrit në Prishtinë dhe rrethinë është mjaftë e ndotur. Madje shpeshherë ajo tejkalon edhe masën e lejuar dhe përbën rrezik për shëndetin e qytetarëve.

Një ndotje të madhe po kemi edhe ditëve të fundit, ku sipas matësve të cilësisë së ajrit, Prishtina po renditet e para në botë për këtë dukuri negative.

Sigurisht, që kjo gjendje po ndikon edhe në shtimin e pacientëve nëpër qendrat e mjekësisë familjare por edhe në QKUK.

Doktoresha e Shërbimeve Pediatrike në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Hamide Latifaj në një prononcim për Indeksonline ka treguar se ditëve të fundit ka pasur një rritje të madhe të fëmijëve të sëmurë.

Sipas saj, përveç numrit të madh të fëmijëve me gjendje virale, ndotja e ajrit ka bërë që të shtohet edhe më shumë numri i pacientëve.

“Ka rritje të numrit të pacientëve! Pra përveç gjendjes virale kemi shumë fëmijë që kanë nevojë për inhalim dhe pastaj t’i fusim edhe në preventivë, për shkak se po i bëhet një lloj astme të cilët po kanë nevojë për trajtim më të thellë. Gjithashtu është rritur numri i alergjive, dhe kjo krejt për shkak të ndotjes së ajrit. Janë shumë shqetësuese, për shkak se përveç trajtimit nuk po kemi ambiente të afërta ku t’i dërgojmë fëmijët për ajrosje dhe ajër të pastër. Po duhet t’iu rekomandojmë prindërve t’i dërgojnë fëmijët në bjeshkë, pra në vende që janë me kilometra larg për t’ia ofruar fëmijëve një ajër të pastër”, ka thënë Latifaj.

Në këtë mënyrë, Latifaj ka përmendur disa nga faktorët që po ndikojnë që numri i fëmijëve të sëmurë të rritet edhe më tej.

“Ajri, ambienti i mbyllur, shpeshherë edhe mungesa e edukatës familjare ku shumë e konsumojnë cigaren në ambiente të mbyllura, gjithashtu edhe nëpër shumë restorante po pihet cigarja brenda. Pra, janë shumë faktor që po dinë ta komplikojnë situatën dhe po na detyrojnë që nga një grip i vogël të shkojmë me një terapi më të rëndë, me inhalim apo edhe antibiotikë. Pra po rritet rrethi i gjendjes së keqe të fëmijëve. Sikur të kishim një ambient më të mirë dhe ajrin më të pastër sigurisht që problemet momental që i kemi, nuk do i kishim pasur”, ka shtuar ajo.

Latifaj ka treguar se ka raste të shumta kur nga QKMF fëmijët po i dërgojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejshëm, për shkak të gjendjes së rëndë. Megjithatë, ajo shton se fatmirësisht deri më tani nuk ka pasur ndonjë fatalitet siç po raportohet në vendet e perëndimit.

Ndryshe, në lidhje me ndotjen e ajrit ka reaguar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, të cilët kanë vlerësuar se ky ajër është shumë i rrezikshëm për shëndetin.

Në këtë mënyrë ata kanë bërë apel tek qytetarët t’i reduktojnë daljet në qytet; të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos i hapin dritaret për ajrosjen e dhomave; të përdoren maska gjatë qëndrimit në ambiente të jashtme.

Për ndërmarrjen e masave për parandalimin e ndotjes së ajrit, Komuna e Prishtinës ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme për të enjten, me të vetmen pikë të rendit të ditës: “Diskutim për ndotjen e ajrit në Prishtinë”./Indeksonline/