15:34 / E Hënë, 06 Maj 2019 / indeksADMonline

Në 20 vjetorin e rënies, u përkujtua dëshmori dhe heroi Afrim Krasniqi

Sot në Tërpezë të Malishevës, është mbajtur një tubim përkujtimor, kushtuar dëshmorit të kombit dhe heroit Afrim Krasniqi, komandant Drenica, i cili ra heroikisht në betejën e Kosharës, më 6 maj të vitit 1999.

Në këtë tubim përkujtimor, krahas familjarëve dhe qytetarëve të shumtë, morën pjesë edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, Ministri i Ministrisë së Mbrojtjes,  Rrustem Berisha, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala, zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Çerkin Dukolli, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, kryetari i OVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, dhe personalitete të shumta.

Në këtë tubim përkujtimor, në fjalët e tyre, ministri Berisha dhe kryetari Begaj, vlerësuan lartë figurën e heroit të kombit dhe dëshmorit Afrim Krasniqi, si dhe kontributin  e tij në Betejën e Kosharës, por edhe kontributin e Malishevës, në përgjithësi, në të gjitha trevat.

Po ashtu, të dy folësit, duke ju referuar debateve të fundit për betejën e Kosharës, ju bën thirrje të gjithëve, që ti lënë anash këto debate, pasi pikërisht ajo betejë është simboli i bashkimit, ndërsa edhe amaneti i dëshmorëve të rënë në atë betejë ishte bashkimi.

Edhe Xhavit Jashari e Çerkin Dukolli, vlerësuar lartë veprën e Afrim Krasniqit, ndërsa përkujtuan edhe betimin e ushtarit dhe amanetin e dëshmorëve për bashkim.

Ndërsa Metush Kryeziu, në emër të OVL të UÇK-së, dega në Malishevës, përveç që foli për kontributin e dëshmorit dhe heroit Afrim Krasniqi, familjes ja dorëzoi edhe dekoratën e ndarë për Afrim Krasniqin.

Më pas, janë bërë nderime pranë lapidarit të dëshmorëve në Tërpezë, si dhe janë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Kleçkë, aty ku prehet trupi i Afrim Krasniqit. /Indeksonline/