22:04 / E Martë, 28 Shkurt 2023 / MSH

Në 30 vjetorin e saj të themelimit, nëndega e LDK-së në Starnberg është shembull veprimtarisë atdhetare

SHKRUAN: HAKI LATIFI

28 shkurt 2023

Veprimtaria e pa ndalshme, në vijimësi, për 30 vjet radhazi, me ritmin harmonik, por me organizimin gjithnjë e më cilësor, është veçantia e Nëndegës së LDK-së të Starnbergut, në Bavarinë e njohur gjermane, e cila është njëri nga Landet, Republikat më të mëdha dhe më të zhvilluara të Gjermanisë.

Në kohën kur po themelohej aktivi në Starnberge, Kosova e pushtuar ishte plot halle dhe përjetonte ditët më të vështira në historinë e saj. Qëllimi i organizimit ishte fisnik, sepse Kosova kishte nevojë për ndihmën e bijave dhe të bijëve të saj mërgimtarë.

Dhe pikërishtë 30 vjet më parë, më 28 shkurt 1993, mërgimtarët shqiptarë u mblodhën në vendbanimin Guating të Bavarisë, me mbështetjen e Nëndegës të LDK-së për Bavari, për të formuar Aktivin e LDK-së për Starnberg me rrethinë.

Shikuar nga këndi i sotëm, askush nuk mund ta parashikonte se pas tre dekadave kjo Nëndegë do ta meritojë emërtimin “Aktivi i Ibrahim Rugovës”, në të cilën më vonë në bazë të veprimtarisë së bujshme duke respektuar statutin dhe programin e LDK-së, në vitin 2017 avancohet në një shkallë të organizimit, pra do të veproj si Nëndegë e LDK-së në kuadër të Degës së LDK-së në Gjermani.

Në të vërtet për ta merituar një emërtim të tillë, sigurisht , duhej një angazhim i veçantë, një punë e frymës bashëpunuese dhe sistematike, duke i mbetur besnik filozofisë së themeltarit të LDK-së dhe shtetit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Kjo Nëndegë dhe veprimtarët e sajë, të cilën e udhëhoqen në këto tre dekada, radhazi kanë respektuar zgjedhjet demokratike, mbledhjet e rregullta, pagesën e anëtarësisë dhe gjithçka tjetër, duke respektuar statutin dhe programin e LDK-së.  

Nëndega e LDK-së në Starnberg, që nga fillimi i veprimtarisë së saj,  është shembull i ruajtjës së kulturës dhe të traditës demokratike. Ku përveç aksioneve që janë ndërmar për ta ndihmuar Kosovën, në koordinim me kryesinë e Degës së LDK-së në Gjermani, iu kanë përgjigjur çdo nisme të aksioneve para luftës, gjatë luftës dhe pas lufte në Kosovë, në të cilën është vlerësuar nga Kryesia e Degës së LDK-së.

Ndër veprimtarët që nuk duhet harruar pa i përmendur janë ish udhëheqësit e kësaj Nëndege tashmë veteran të LDK-së; siç janë: themelues të aktivit; Kryetar i parë Agim Osmani, veprimtarët, Shahin Siarina, Tefik Idrizi, Bashkim Leci, Fazli Gashit, Gani Batatina, Musa Hamëza, Ibrahim Potoku, Afrim Mulaj, Mehmet Kokaj, Daut Pepaj e Hajzer Gashi, Sadedin Dushi, Ramadan Shema, Adem Lushaku, Shpend Shema, Bashkim Shala e shumë veprimtarë të tjerë, në të cilën fal angazhimit të tyre të pa lodhur e forcuan organizimin e kësaj Nëndege.

Veprimtaria e kësaj Nëndege ka qenë dhe mbetet shumëdimensionale. Organizimin e saj e ka lehtësuar puna dhe fryma bashkëpunuese e mirëkuptimit në shtrirjen e kryesisë dhe të anëtarësisë për aktivitete të tjera, si: begatimi i fondit të Kosovës; ndihmat humanitare; aksionet e ndryshme materiale; organizimi dhe kremtimi i festave kombëtare; akademi përkujtimore; promovim librash; pritje të delegacioneve nga Atdheu dhe të tjera.

Vlenë të veçohen aksionet; Ndihmë për arsimin në Kosovë; për Universitetin e Prishtinës; për Fondin e Republikës të Kosovës 3%-in; për Drenicën e përkallur; aksionin e madh – Gjithëçka për pavarësinë e Kosovës si dhe bashkëpunimin me vendas që kishte për qëllim senzibilizimin e luftës në Kosovë.

Përsonalisht sa isha kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër, kam patur nderin të jam i ftuar në dy manifestime të kësaj Nëndege, dhe vërtet jam befasuar për të mirë për organizimin dhe veprimtarinë e këtyre veprimtarëve. Veprimtarët e Nëndegës së LDK-së së Starnbergut janë modest dhe ngurrojnë të flasin për kontributin e tyre të dhënë ndër vite e dekada. Miqësisht pyes ish-kryetarin shumëvjeçarë Fazli Gashi dhe tani kryetar nderi i kësaj Nëndege, për ndonjë asksion të ndërmarrë nga aktivi në vitet e robërisë dhe të varfërisë absolute të Kosovës? Zotëri Gashi, fillimisht ngurron, me arsyetimin se ne kemi bërë vetëm detyrën-argatin, si pjesë e Kosovës, Atdheut, prandaj nuk më pëlqen të lavdërohemi.

Pjesmarja dhe organizimi i demonstratave, protestave të shumta kundra presionit, torturave, terrorit, gjenocidit serbo-sllav, ishin pjesë aktivitetit të kësa Nëndege. Sidomos të paharrueshme janë tubimet e protestave në Bon, në Luksemburg, Bruksel, Den Hag dhe në Zvicër, në të cilat në mënyrë të organizuar dhe masovike me autobusa ka marrë pjesë kjo Nëndegë e LDK-së dhe veprimtarët e saj.

E gjithë kjo masë e veprimtarëve të LDK-së, në këtë rajon, gjatë tërë kohës kontribuan me aktivitetet e tyre përmes aksioneve të ndryshme dhe me këtë e bënë të mundshme, që të funksionoj shteti paralel në Kosovë dhe të mbijetohet dhuna ekonomike, e cila ishte instaluar nga aparati represiv shtetëror serb për të thyer rezistencën e popullit shqiptar. Vlen të përmendet tubimi i mjeteve për Fondin e vetëmbrojtes, Fondin e Aachenit, Fondin e Shoqatës Bëmirëse „Nëna Terezë“, Ndihmë për arsimin në Kosovë, mbështetja për Fondin e 3 %-it, ku ishte i përhershëm dhe mujor ka qenë përcjellja dhe realizimi i obligimeve të pagesës së 3% në Fondin e Qeverisë së Republikës së Kosovës e cila ka qenë detyrë e Komisioneve të formuara enkas në kuadër të secilit Aktiv – Nëndegës. Poashtu është punuar shumë për përfshirjen e fëmijëve shqiptarë në mësimin plotësues në gjuhën shqipe dhe në bashkëpunim me palën gjermane kanë arritur që të organizohet mësimin plotësues në shkollën shqipe.

Me qëllim që mërgatës sa më shumë t´ua ofrojnë Kosovën, kjo Nëndegë e LDK-së kanë organizuar manifestime të shumta kulturore duke bërë shënimin e festave kombëtare dhe shtetërore si 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, 2 Korrikun – Ditën e Deklaratës kushtetuese, 7 shtatorin – Ditën e Kushtetutës së Kaçanikut, 17 shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës, si përurime ekspozitash dhe librash etj.

Pas çlirimit të Kosovës janë përkujtuar figurat e rëndësishme të popullit tonë si Presidentin historik dr. Ibrahim Rugova, strategun e Pavarësisë së Kosovës – Akademik Fehmi Agani, Ministrin e mbrotjes së Republikës së Kosovës – Kolonel Ahmet Krasniqi, Komandantin e betejës së lavdishme të Loxhës – Kolonel Tahir Zemaj, Nënkryetarin e Degës së LDK-së në Gjermani, ideologun dhe komandantin e thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar, betejës së lavdishme të Koshares – Veteranin Salih Çekaj, etj.

Rëndësi e veçantë i është kushtuar ndërkombëtazimit të Çështjes së Kosovës, ku janë mbajtur  takime të shumëta me palën gjermane në nivele të ndryshme shtetërore dhe partiake.

Zoti Fazli Gashi, kryetar nderi i Kësaj Nëndege në vazhdim thekson: „Të gjitha këto rezultate janë arritur me ndihmën e veprimtarëve tonë të devotshëm, të cilët me rastin këti viti jubilar të organizmit tonë – 30 vjeçar të themelimit të Nëndegës së LDK-së në Starnberg, në të cilën që nga viti 2017 është avancuar në nivel të organizimit si Nëndegë, me mjaft sukses e udhëheq kryetari z. Musa Hamza. I përgëzoj dhe falënderoj të gjithë veprimtarët dhe anëtarësinë, sepse pa angazhimin vetëmohues dhe të parreshtur të tyre, nuk do të kishim arritur qëllimin tonë kryesor – Kosovën e lirë e të pavarur. të gjitha këto të arritura na obligojnë, që edhe tani e tutje, të angazhohemi dhe të kontribojmë në forcimin e shretit të Kosovës, të ruhet dhe forcohet imazhi demokratik perëndimor i tij, me synim antarësimin në Bashkësinë Europiane, duke kultivuar në vazhdimësi forcimin e lidhjeve me aleatin tonë strategjik – SHBA-të, si porosi nga Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova, me synimin për tu bërë pjesë e paktit verio-atlantik NATO-s“, thekson z. Gashi.

Ndërkaq, në nderim të 30 vjetorit të themelimit, kryesia e kësa nëndege, më 05.03.2023 kanë organizuar një manifestim rasti me anëtarësinë e saj, duke filluar në ora 13.00. Adresa : Mittelweg 20                      82212 Herrsching am Ammersee .

Në përmbyllje të këtij shkrimi, i urojmë suksese të mëtejme kësaj Nëndege të LDK-së zëmadhe dhe gjithnjë aktive, në realizimin e objektivave në shërbim të Mërgatës dhe të Kosovës tonë të dashur.