14:15 / E Hënë, 24 Shkurt 2020 / indeksADMonline

S’ka coronavirus në Kosovë!

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike më ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK-së për një paciente të dyshimtë në sëmundjen coronavirus COVID-19.

Pacientja ka pasur ethe, djegje të syve, rrjedhje hunde dhe fytin e ndieshëm.

Ekipi i laboratorit të mikrobiologjisë molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin

SARS-CoV-2 me metodën rRT-PCR. Testi ka rezultuar negativ, domethënë pacientja nuk është infektuar me virusin SARS-CoV-2.

Laboratori mikrobiologjik -IKSHPK është pajisur me kite dhe reagensa për detektimin e 2019-nCoV;

Ekipet e Institutit Kombëtar po e përcjellin me vëmendje situatën epidemiologjike me coronavirusin në botë.

Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse ka konstatuar se janë përforcuar masat për monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së coronavirusit të ri. Ka kompletuar Planin e gatishmërisë për coronavirusin dhe Planin e kontingjencës duke iu përmbajtur strikt rekomandimeve të OBSH-së;

Janë shpërndarë materialet dhe dokumentet, posteret e shtypur nga Instituti Kombëtar me kohë janë shpërndarë në institucionet shëndetësore, shkolla, aeroport, hyrje -daljet tokësore, institucionet e burgjeve. Komunikimi me media dhe rrjetet sociale është në vazhdimësi për të ruajtur panikun e mundshëm.

Është bërë ngritja e nivelit të vigjilencës dhe gatishmërisë për veprim në situatën e krijuar 24 orë në ANP ”Adem Jashari” dhe në hyrje- daljet e Kosovës me ekipe mjekësore.

Të gjitha institucionet shëndetësore janë të përgatitura për përballje me shfaqjen e sëmundjes./Indeksonline/