10:38 / E Shtunë, 16 Mars 2019

Në partneritet të sinqertë nuk mjaftojnë fjalët e mira, duhet ndërmarrë veprimet e duhura

Shkruan: Azem Hajdari

Populli ynë gjatë historisë ka krijuar shumë fjalë të urta pesha e të cilave vlerësohet të jetë shumë e madhe. Njëra nga to, pak a shumë me këtë përmbajtje, është edhe kjo: “Më e mirë është një punë e kryer (e vlefshme) se sa njëmijë fjalë të thëna sado të mira të jenë ato”.  Kjo fjalë e urtë ka peshë të madhe në marrëdhëniet e përditshme ndër-personale, por gjithsesi edhe në kontekst të partneritetit ndërkombëtar.

Zyrtarët e lartë shtetëror të Kosovës pothuaj çdo ditë në zhargonin e tyre politikë përdorin shprehjet: “Ne jemi me Amerikën”, “Ne jemi me miqtë (partnerët) tanë”, ndërkohë që jo pak veprime të tyre bien ndesh me këtë fakt. Zyrtarët amerikanë dhe të gjithë ata që përfaqësojnë linjën e  sponsorizuesve të shtetësisë së Kosovës, gjatë këtyre njëzetë viteve të fundit, kanë kërkuar dhe kanë dërguar një sërë mesazhesh vepruese për ne, ndërkaq përgjegjësit tonë institucionalë në shumë raste u bëmë të shurdhër për to. Ata, ndër të tjera,  disa herë na kanë këshilluar, sugjeruar dhe kërkuar:

  1. Na keni partner në forcimin e shtetit tuaj. Këtë thënie ata e bënë realitet.- Janë ata (kryesisht lidershipi amerikan) që dhanë dritën jeshile për formimin e ushtrisë së Kosovës, dhe vendi u bë me këtë mekanizëm të domosdoshëm të mbrojtjes së sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës. Këtu fatmirësisht ishim të  dëgjueshëm.

  2. Luftojeni korrupsionin, sidomos atë të nivelit të lartë.- Përgjegjës të lartë të institucioneve shtetërore nuk  po tregohen pothuaj aspak serioz në këtë aspekt. Korrupsioni vazhdon të jetë në rritje. Ai po ia grabitë gjithnjë e më shumë të ardhmen rinisë tonë. Korrupsioni po e bën të ardhmen tonë përditë e më të rëndë. Ai po e zbeh tejmase partneritetin tonë me miqtë ndërkombëtar.

  3. Largoni nga institucionet zyrtarët e lartë mbi të cilët rëndojnë akuza për veprimtari kriminale.- Përgjegjës të lartë të institucioneve shtetërore nuk po reflektojnë fare konform kësaj  kërkese. E vërteta është se brenda institucioneve më prestigjioze vazhdojnë të mbahen zyrtar për të cilët janë ngritur akuza penale madje për dyshim të përfshirjes së tyre në kryerjen e krimeve shumë të rënda.


    Krijoni institucione të pavarura.- Përgjegjës të lartë të institucioneve shtetërore nuk po e bëjnë këtë. Në të kundërten, ata përditë e më shumë po i mbushin institucionet shtetërore e publike të vendit me militant partiakë, të dëgjueshëm dhe joprofesionalë.

  4. Luftojeni nepotizmin.- Përgjegjës të lartë të institucioneve shtetërore po i mbushin gjithnjë e më shumë institucionet me fëmijë e të afërm tjerë të tyre. Atyre të shumtën e rasteve u garantohet punë me nivele të larta të përgjegjësisë, bile e dhe pa pasur përgatitjen përkatëse profesionale.


    Krijoni gjyqësi të pavarur.- Përgjegjës të lartë të institucioneve shtetërore në vend që të krijojnë kushte dhe të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre në këtë aspekt, me veprimet e tyre e zbehen tejmase pavarësinë e gjykatave. Ata në forma nga më të ndryshmet po ndërhyjnë në punën e tyre.

  5. Luftojeni nepotizmin.- Përgjegjës të lartë të institucioneve shtetërore po i mbushin gjithnjë e më shumë institucionet me fëmijë e të afërm tjerë të tyre. Atyre të shumtën e rasteve u garantohet punë me nivele të larta të përgjegjësisë, bile e dhe pa pasur përgatitjen përkatëse profesionale.

  6. Zhvillojeni vendin tuaj.- Përgjegjës të lartë të institucioneve shtetërore krijuan pengesa të shumta burokratike që hapën shtigje për korrupsion dhe penguan investimet e shumë investitorëve seriozë. Madje ka shqiptarë të Kosovës që i kanë bartur investimet  e tyre nga Kosova në vende të tjera, qoftë në ato fqinje siç është rasti me Maqedoninë, por edhe në vende të tjera siç është rasti me Bullgarinë etj.

    Së fundmi, ata po na thonë suspendoni taksën 100% ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake për ti hapur rrugë dialogut dhe arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.- Përgjegjës të lartë të institucioneve shtetërore supozohet se me kryeneçësi dhe pa vështrim të mirëfilltë kritik kanë zgjedhur rrugën e injorimit të kësaj problematike. Ata me sa duket as që po merren me analizën e kompleksitetit që bartë në vete kjo çështje e ndjeshme. Rrjedhimisht, nga përgjegjësit e lartë të institucioneve shtetërore të Kosovës kërkohet që të analizojnë në thellësi dhe me kompetencën më të lartë profesionale e politike efektet pozitive që deri tani mund ti ketë arritur kjo taksë (duke reflektuar edhe të ardhmen), e sidomos pasojat eventuale që mund të rrjedhin prej saj (sidomos atyre që ndërlidhen me fushëveprimin politik, por gjithsesi duke përfshirë edhe aspektet tjera) dhe të reflektojnë në përputhje me interesin madhor të vendit.

Këto janë vetëm disa nga çështjet që i kanë shtruar partnerët tanë të sponsorizimit të shtetit të Kosovës. Është në ndërgjegjen e secilit prej nesh të vlerësojmë nëse jemi në rrugë të duhur përballë këtij partneriteti apo jo. Mbase e ardhmja do të jetë mësuesi më i mirë që do të na qartësoj këtë, nëse ajo nuk bëhet tepër e vonshme, e madje edhe e pamëshirshme.