12:19 / E Martë, 16 Maj 2023 / AR

Në Shkup promovohet “Dheas të fjalës” i Aleksandër Çipa

Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup sot u promovua libri “Dheas të fjalës” i gazetarit, analistit, poetit e publicistit nga Shqipëria, Aleksandër Çipa.

Publicisti Emin Azemi e vlerësoi lartë veprën e Çipës, duke i bërë një përmbledhje përmbajtes së saj nga lëmia e publicistikës.

Gazetari Seladin Xhezairi, ndërkaq, tha se Çipën e njeh që nga koha kur punonin bashkë në BBC dhe nuk është befasuar nga qasja e autorit, që përfshin edhe publicistikë me tema dhe persona që lidhen me Maqedoninë e Veriut.

Autori Çipa tha se ndjehet i emocionuar që promovon librin në ITSHKSH.

“Këtë libër e kam mbajtur në proces për 10 vite dhe kam kënaqësinë që sot e promovoj para jush. E zgjodha këtë titull pasi Martin Camaj i quante shqiptarët bijtë e dheut. Autorët që trajtoj në libër nuk janë më gjallë, andaj i quajta dheas të fjalës”, tha Çipa.

“Dheas të fjalës” është një libër me materie kulturologjike i ndarë në cikle të ndryshme shkrimesh. Në një ndër ciklet kryesore të tij ka qasje kulturologjike krahasimtare mes dy prej periodikëve më të famshëm sikundër ishin revista ” Shejzat” e Ernest Koliqit dhe ” Përpjekja” e Branko Merxhanit.

Pjesë e këtij cikli janë edhe shkrimi i qasjes krahasimtare mes dy poetëve të pakrahasueshëm Frederik Reshpja dhe Fatos Arapi.

Ndërsa cikli i shkrimeve in memoriam për shkrimtarë dhe personalitete të mendimtarisë shqiptare si dhe një grup esesh grishin lexues dhe studiues të filologjisë.

Po aq pretenduese janë edhe recencat për librat e Dritero Agollit, Petrit Rukës, Arben Dukës apo antologjinë e poezisë greke të sjellë në shqip nga Arqile Garo.

Realiteti politik, publicistik, shoqëror e mediatik vijnë të shpalosura më së miri në publicistikën e Aleksandër Çipës i cili në këtë libër nderon figura të shquara të medias shqiptare, poezisë, kritikës letrare e mbi të gjitha i kushton rëndësi ikonës së shtypit të shkruar shqiptar “Përpjekja Shqiptare” e Branko Merxhanit dhe “Shejzat” e Ernest Koliqit.

Shkrime publicistike dhe eseistike kushtuar Frederik Rreshpes, Fatos Arapit, Arbën Xhaferrit, Petrit Rukës, Arben Dukës, Moikom Zeqos e shumë figurave të shquara të letersisë e prozës e poezisë shqipe moderne e shëndërrojnë librin “Dheas të fjalës” në një monument nderimi dhe respekti për figurat tona të shquara të letërsisë, artit e mendimit të thellë politik e kombëtar shqiptar.