13:24 / E Diele, 05 Gusht 2018 / indeksADMonline

Nëna kosovare që u kujdes për rreth 400 fëmijë të braktisur (Foto)

Ajshe Uka, 65 vjeçare tash e 18 vite ka qenë e punësuar në SOS Fshatin e fëmijëve në Prishtinë.

Profesionin e saj si moter medicinale dhe edukatore e ushtron qe 47 vite, dhe pa përtesë thotë se ka dhënë maksimumin që fëmijet përreth saj të ndjehen shendosh e të lumtur.

Për këto 18-vite sa ka qenë e punësuar në fshatin e fëmijëve, Ajshja është kujdesur për mirëqenien dhe shëndetin e mbi 400 fëmijëve të braktisur në vendin tonë.

Në një bisedë për Indeksonline, ajo flet për vështirësite dhe të mirat e kësaj pune.

“Për këto vite, asnjëherë asgjë nuk kam kursyer sa i përket anës time. Jam punësuar me të mbaruar shkollen e mesme të mjekësisë, pata punuar në qerdhe publike para luftës. Për mua ka pas shumë vështirësi. Momentet më të vështira kanë qenë kur kemi shkuar në Neonatologji për me i marrë fëmijët e braktisur, pastaj kur ata janë sëmurë. Nëse ata nuk kanë pas shëndet të mirë unë me trup pas orarit isha në shtëpi, por mendjen e kasha tek ata fëmijë”, tregon ajo derisa emocionet i marrin zërin.

Ajo thotë se puna me fëmijët i ka dhënë jetë e gëzim.

“E kam desht aq shumë punën me fëmijët, sa që gjithë jetën u jam përkushtu po mos të ishte pensionimi unë me shumë vullnet edhe më tej do të vazhdoja të përkushtohem për ta. Fëmijët e meritojnë kujdesin dhe dashninë më të madhe në botë”, vlerëson ajo.

Zonja Uka, më datën 3 gusht edhe u pensionua, dhe kështu diten e premte ajo përfundimisht u përshëndet nga shtëpia e saj e dytë, për të nisë një etapë të re në jetën e saj.

“Do të më mungojnë shumë fëmijët, koleget e punës. Më besoni ende jam atje dhe jam e bindur se do ta kemë të vështirë qëndrimin larg tyre pasi që jam mësu me fëmijët, nuk është e lehtë një jetë të tërë me ju përkushtu foshnjeve, aq më tepër fëmijëve të braktisur. Derisa të jem gjallë do të më kujtohet fytyra e secilit fëmijë që jam kujdesë”, ka theksuar Uka.

Uka gjatë bisedes ka treguar se gjatë kohës së trazirave në vendin tonë, ka shërbyer si vullnetare  në shoqaten humanitare “Nënë Tereza”, pastaj ka punuar me mjekët e botës duke dhënë kontributin e saj edhe në vendet më të rrezikshme të botës./Indeksonline/