12:31 / E Hënë, 22 Shkurt 2021 / OSH

Nenad Rashiq: Ajo çka ka ndodhur me komunitetin boshnjak nuk është befasi, ky është vetëm fillimi i ambicieve të Listës Serbe

E ka provuar me lëkurën e tij se çka do të thotë të mos jesh i barabartë në garë që kur Lista Serbe u themelua në Kosovë.

Nenad Rashiqi ish- ministër në disa qeveri, në një intervistë për IndeksOnlinen ka folur për atë se si atij i është mohuar qe 8 vjet të jetë i barabartë në garën zgjedhore.

Për të sado që është e dhimbshme që këtë herë është prekur edhe komuniteti boshnjak, kjo është një lajm i mirë, sepse më në fund po aktualizohet sa duhet kjo çështje.

“Unë pavarësisht që kam bërë shumë deklarata, shumë iniciativa, duke nisur prej ankesave të KQZ-ja, të paraqitja e rasteve në prokurori, në polici, me qytetarë, të cilët kanë dëshmuar çfarë kërcënimi kanë pasur, çfarë shqetësimi, abuzimi ka qenë prej  instrumenteve të ndryshme të Listës Serbe, prapë opinioni publik nuk ma ka marrë seriozisht. Unë e shoh këtë si fat për mua që përherë të parë diçka në medie dhe në opinionin publik është drejtuar aty, ku ka qenë problemi që 8 vjet”, tha Rashiqi për IndeksOnline.

Sipas tij ajo çfarë ka ndodhur me Listën Serbe dhe dëmi që i është bërë komunitetit boshnjak nuk është rastësi.

Madje siç ka thënë ai ky është vetëm fillimi i ambicieve të Listës Serbe.

“Unë e kam problemi edhe më të rëndë edhe më të vrazhdë se që e kanë ata, boshnjakët. Sidoqoftë, kjo që po ndodh nuk është befasi për mua, unë e di çfarë metodologji përdorin Lista Serbe dhe regjimi në Beograd dhe kjo është vetëm një fillim  sa u përket ambicieve që i kanë ata ndaj institucioneve të Kosovës dhe kjo është një tmerr që po ndodh qe 8 vjet. Kjo mua më ka ndodh qe 8 vjet në të gjitha llojet e zgjedhjeve”, theksoi ai.

Rashiqi që vazhdon ta udhëheqë Partinë Demokratike Progresive punon në një zyrë të vogël në Graçanicë.

Ndërsa ka theksuar se në mesin e komunitetit serb është politikani më aktiv dhe se fushatën sa herë që ndodhin të tilla, u duhet ta bëjnë direkt te qytetari, shkaku se disa herë ata që ishin pjesëmarrës në tubimet e tyre, ishin kërcënuar e shantazhuar nga mekanizma e instrumente të Listës Serbe.

Se kush është fajtori për këtë situatë, Rashiqi ka thënë se institucionet kosovare nuk kanë qenë në gjendje të organizonin zgjedhje normale dhe demokratike edhe në këto pjesë të vendit.

“Unë kam thënë shumë herë, pushteti aktual nuk ka qenë në  gjendje të organizonte zgjedhje demokratike dhe normale. A e ka bërë këtë organizimi i keq me qëllim apo pa qëllim, unë këtë nuk e di, por unë e shoh prapë se kurkush prej institucioneve  nuk ka reaguar, prandaj tek institucionet e Kosovës ka qenë problemi”, tha ai.

Ndërsa në këto zgjedhje ka pasur elemente të shkeljes së të drejtave të njeriut, çka sipas tij mund të vërtetohet lehtë.

“Shoh elemente të shkeljes së të drejtave, organet kompetente siç janë së pari KQZ-ja dhe gjykata kompetente dhe se fundmi edhe Gjykata Kushtetuese të merren me këtë rast se kjo në këtë formë të manipulohet me vota, unë nuk e di se çka mund të ndodhë nesër.  Kjo po ndodh qe 8 vjet, paramendojeni  nëse kjo ndodh me votat e boshnjakëve që nuk janë në “rajonin e tyre” paramendojeni çka më kanë bërë mua qe 8 vjet”, nënvizoi Rashiqi.

Ndryshe përfaqësuesit nga radhët e komunitetit boshnjak kanë akuzuar se Adriana Hoxhiqin, bashkë me një subjekt tjetër nga komuniteti rom, po përpiqen të hyjnë në Kuvend, me ndihëm e votave të komunitetit serb dhe se do “të punojnë për interesin e Listës Serbe”, partisë kryesore të komunitetit serb në Kosovë.