17:03 / E Shtunë, 06 Janar 2018 / indeksADMonline

Nënkryetarja e VV-së i fton anëtarët e partisë të bëhen bashkë për tejkalimin e sfidës

Nënkryetarja e Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku ka reaguar ndaj akuzave e kritikave që anëtarët e partisë po i bëjnë kohëve të fundit njëri tjetrit.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se pavarësisht se e mbështet kandidaturën e Albin Kurtit për kryetar të Vetëvendosjes, kjo s’do të thotë se aktivistët tjerë aty i sheh si armiq.

Sipas saj, të gjithë duhet të ulen e të bisedojnë për ta tejkaluar sa më shpejt këtë sfidë.

Ja postimi i saj:

Derisa jemi të gjithë në Lëvizje VETËVENDOSJE! ka mundësi për dialog, për kritikë dhe vetëkritikë, për rrugëdalje pa kushtëzime, me vullnet dhe njohje të kontributit të secilit nga ne. Pa dyshim se kontributi nuk është i njëjtë, sepse disa aty i kanë shkrirë vite të tëra plotë sakrifica. Kjo duhet vlerësuar.

Unë nuk besoj në teori konspirative, prandaj jam e bindur se po t’i thërrasim arsyes, e kaluara e përbashkët shumëvjeçare mund të jetë pikënisja e një vazhdimësie ku ndihemi mirë por pikësëpari për të mirën e përgjithëshme.

Unë i ruaj shumë të freskëta imazhet e fushatës nacionale dhe asaj lokale. Ato imazhe më bëjnë të besoj se zgjidhje ka nëse ulemi ballë për ballë. Duke u shikuar në sy, më mirë do të kuptojmë problemet dhe mundësitë për zgjidhjen e tyre. Unë e kam përkrahur kandidaturën e Albin Kurtit, sepse mendoj se e meriton,dhe kjo kandidaturë është po aq legjitime sa do të ishte po aq legjitime edhe ndonjë kandidaturë tjetër.

Mirëpo fakti që unë e mbështes Albinin, nuk më pengon ta vlerësoj kontributin e të gjithë aktivistëve të tjerë që brenda natës nuk mund t’i konsideroj si ” armiq”. Jo, sepse i kam gjetur aty dhe kam pa çfarë kanë bërë me vite për Lēvizjen.

I ftoj, jo vetëm nga pozita ime si Nënkryetare e Lëvizjes VETËVENDOSJE! , por shumë më tepër si bashkëaktiviste që të ulemi dhe ta tejkalojmë këtë sfidë. /Indeksonline/