11:15 / E Enjte, 24 Shtator 2020 / indeksADMonline

Nënshkruhet marrëveshja e mirëkuptimit midis MEA-së dhe FMK-së për cilësi ajri

Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit sot u nënshkrua një marrëveshje mirëkuptimi midis ministrisë dhe Fondacionit Milleniumi i Kosovës (FMK).

Në këtë marrëveshje që u nënshkrua nga ministri i MEA-së, Blerim Kuçi dhe drejtori ekzekutiv i FMK-së, Petrit Selimi, parashihet që të përkrahet aktiviteti “Dig data”, që ka të bëjë me mbledhjen e të dhënave për cilësi ajri.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është që të nxisë bashkëpunimin në zbatimin e projektit që ka për bazë qeverisjen transparente dhe llogaridhënëse. Të dhënat e mbledhura për cilësinë e ajrit do të jenë transparente për publikun dhe për shfrytëzim analitik.

Sipas ministrit Blerim Kuçi, transparenca është një element që do të ketë rëndësi të veçantë gjatë qeverisjes së tij në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit.

Gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje mori pjesë edhe Sarah Olmsteadi, drejtoreshë e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (KSM/MCC) për Kosovën.