16:24 / E Enjte, 06 Shtator 2018 / indeksADMonline

Nënshkruhet marrëveshje për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka treguar se në kuadër të përpjekjeve për të zvogëluar rastet e abuzimit të fëmijëve, ministria që ai udhëheqë ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Fondacionin “Terre des homes”.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri Skender Reçica dhe Jezerca Tigani, udhëheqëse e zyrës për Kosovë, transmeton Indeksonline.

Sipas ministrit, kjo po bëhet me synim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për grupet e cenueshme në nevojë, me theks të veçantë për fëmijët në rrezik.

Ky është postimi i plotë:

“Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale po punojmë fort që të kemi sa më pak raste të abuzimit me fëmijë dhe gjithashtu të rasteve kur fëmijët përballen me punë të rënda. Është e nevojshme që së bashku të japim kontributin që dukuritë e tilla të eliminohen në tërësi.

Në kuadër të këtyre përpjekjeve, sot nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit me Fondacionin “Terre des homes”, bashkëpunim ky që synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për grupet e cenueshme në nevojë, me theks të veçantë për fëmijët në rrezik.

Fëmijët tanë janë e ardhmja e ndritshme e vendit andaj duhet të punojmë fort që t’iu sigurojmë mirëqenie dhe mbrojtje të duhur”. /Indeksonline/.