11:00 / E Enjte, 30 Nëntor 2023 / MSH

“Nëse doni të më shantazhoni, zhdukuni” Elon Musk bën deklaratën e fortë për reklamuesit në “X”

Pronari i platformës “X”, Elon Musk, njihet për disa deklarata kontroverse.

Ai së fundmi ka bërë një postim antisemitik, për të cilin kërkoi falje dje, duke e quajtur “një postim budallallëku” të bërë nga ana e tij.

Por, ai nuk kurseu reklamuesit në platformën të cilën posedon.

Sipas tij, reklamuesit janë larguar nga platforma, pikërisht për shkak të rritjes së antisemitizmit, shkruan CNN.

“Unë nuk dua që ata të reklamojnë”, tha ai në Samitin e DealBook të New York Times në Nju Jork.

“Nëse dikush do të më shantazhojë me reklama ose me para, zhdukuni. A është e qartë? Hej Bob, nëse je në audiencë, kështu ndihem unë”, shtoi ai, duke iu referuar CEO-s së Disney Bob Iger.

Musk i bëri komentet teksa CEO i X, Linda Yaccarino, ishte ulur në audiencë. Yaccarino u soll në kompani për të tërhequr reklamues me emra të mëdhenj.

Musk tha se as nuk ndjehet keq për qëndrimet e tij. Ai thotë se nuk e ka problem të urrehet nga njerëzit e tjerë.