Nëse i kalon letonezët, Drita mund të përballet me Chelsean

Të enjten e 8 Gushtit, FC Drita e nis rrethin e tretë kualifikues në Conference League, në udhëtim te Auda e Letonisë, derisa duelin e kthimit në “Fadil Vokrri” e zhvillon pas një jave.
Gjilanasit konsiderohen favoritë ndaj këtij kundërshtari, megjithatë në PlayOff mund të përballen me kalibër krejtësisht tjetër, pasi nga faza finale e eliminatoreve, në zonën ku mund të jetë Drita, do të hyjnë edhe Chelsea, Fiorentina, Real Betis, Lens e Heidenheim.
Të hënën më 5 gusht do të hidhet shorti ku edhe përfundimisht do të kuptohen rivalët e mundshëm për “Intelektualët”.
Drita ka ditur të përballet edhe me skuadra te niveleve të larta, pasi në të kaluarën është ndeshur me gjigantin holandez, Feyenoord, atë polak, Legia e Varshavës, Malmon suedeze e Plzenin e Çekisë.
Megjithatë tre herë kampionët e Kosovës për momentin të gjithë koncentrimin e kanë tek dy ballafaqimet me letonezët e Audas, para se të mendojnë për më tutje.