19:38 / E Martë, 12 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Nëse tani votohet demarkacioni, ja edhe sa kohë nuk hiqen vizat

Ndonëse u paralajmërua se në fund të këtij viti, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në shtetet e zonës Shëngen, një gjë e tillë nuk pritet të ndodh.

Premtime të tilla me të cilat qytetarët ushqyen shpresat se një ditë do të lëvizin pa pengesa, janë dhënë tash e sa vite, por që nuk u realizuan.

Së fundmi ishte kryeministri Ramush Haradinaj, i cili kishte premtuar se në tre muajt e parë të qeverisjes së tij do të hiqeshin vizat për qytetarët, afat ky i cili “skadoi” këtë javë, shkruan Indeksonline.

Pas tij, një afat tjetër për këtë çështje e dha para disa ditësh zëvendësi i tij dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli. Ai tha se ratifikimi i marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi do të votohen në Kuvend të Kosovës në muajin janar, dhe vizat do të hiqen pas gjashtë muajsh, në qershor.

Njohësit e çështjeve të integrimeve evropiane prapë janë pesimistë se vizat do të hiqen në afatin e radhës. Sipas tyre, edhe nëse demarkacioni kalon, prapë ka kohë deri në heqjen e vizave.

Afrim Hoti në një prononcim për Indeksonline ka thënë se nuk duhet harruar kushtin tjetër që Bashkimi Evropian ka vënë për Kosovën, në mënyrë që qytetarët të lëvizin pa viza.

“Është e logjikshme të presim periudhën 6 muaj nga momenti kur kalohet demarkacioni në kuptimin praktik, por nëse votohet demarkacioni, prapë mbetet peng edhe kushti tjetër që është për vizat, pasi përpos tij ka edhe një kusht tjetër që është po aq i rëndësishëm sa ky, pra luftimi i krimit dhe korrupsionit”, ka theksuar Hoti.

Megjithatë sipas tij, ky kusht me njëfarë forme e bën më pak të besueshme që në qershor të lëvizet lirshëm pa viza.

“Është çështje e vullnetit politik të subjekteve tona a do ta votojnë demarkacionin, por çkado që flitet për momentin sa i përket demarkacionit po tingëllon si spekulative sepse kjo fund e krye varet nga vullneti i partive politike”, ka shtuar Hoti.

Edhe njohësi tjetër, Dashnim Ismajli vlerëson se papërgjegjshmëria politike në Kosovë tashmë ka dhënë sinjalet e saja negative ndërkombëtarisht dhe se ky stabilitet i brishtë politik, që kanë prodhuar partitë politike, gjuha e tyre, arroganca dhe inatet që po mbretërojnë në skenën politike duke mos gjetur frymën dhe vullnetin bashkëpunues për të ndërtuar një kulturë politike të mirëfilltë, ka sfiduar procesin tej mase dhe pasojat do vërehen edhe për një periudhë të gjatë kohore.

“Proceset integruese ka kohë që janë stopuar dhe ky stopim vije pikërisht si rezultat i mosfunksionimit dhe koordinimit të institucioneve politike për të kaluar proceset që presin vendin. Sa i përket një liberalizim vizash në një afat të shkurtër kohor nga Unioni Evropian për Kosovën, nuk mendoj se kjo është e mundur proceduralisht, edhe në qoftë se Demarkacioni do kaloj”, ka vlerësuar Ismajli.

Sipas tij, ekziston mundësia që vizat për qytetarët e Kosovës mos të hiqen as vitin e ardhshëm, pavarësisht premtimeve të mëdha që janë dhënë.

“Unë nuk mendoi se do kemi një liberalizim vizash në një afat të shkurtër kohor, dhe e shoh me rezervë se një liberalizim vizash për Kosovën do jetë i mundshëm edhe për vitin 2018. Mendoj se ky 100 ditësh i qeverisë Haradinaj mundë të vlerësohet deri diku edhe i suksesshëm, megjithatë duhet të kihet parasysh se kjo qeveri ende nuk është ballafaquar me sfidat vendimtare, sfida këto si, Demarkacioni, Asociacioni, Transformimi i ushtrisë, përmbushja e kritereve shtesë për liberalizim vizash si luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformimi institucional dhe administratës, reformat në arsim, shëndetësi e shumë sfidat të tjera jo të lehta”, ka thënë tutje Ismajli.

Demarkacioni, siç ka theksuar ai është edhe ndër sfidat kryesore të qeverisë Haradinaj, kur dihet se zotimi kryesor i tij ka qenë ndryshimi i vijës kufitare apo rinegociimi i saj.

“Në rast se vija kufitare nuk do jetë siç është pretenduar nga Haradinaj, vështirë se do kaloj në këtë formë për arsye se për një miratim të kësaj marrëveshje duhen 2/3 e votave në Kuvendin e Kosovës.  Mendoi se ndërkombëtarët kanë dhënë disa sinjale, se ata mbështesin vijën kufitare siç është ofruar nga Qeveria Mustafa, dhe unë shpresoj  në një përkrahje të vazhdueshme edhe për qeverinë Haradinaj nga ndërkombëtarët, në rast se gjendet një koordinim dhe vullnet politik me Malin e Zi për rinegocimin e marrëveshjes në fjalë”, ka përfunduar Ismajli.

Kujtojmë se Haradinaj pas 90 ditëshit të tij, ka thënë se brenda javësh pret lajme të mira sa i përket liberalizimit të vizave, për çka edhe do të zhvilloj një vizitë në Bruksel më 18 dhjetor./Indeksonline/