15:51 / E Enjte, 06 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Nesër afati i fundit për dorëzimin e aktakuzës për veteranët

Afati për dorëzimin e aktakuzës në rastin e veteranëve nesër skadon.

Fillimisht, kjo aktakuzë ishte kthyer mbrapa me datën 9 nëntor, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale.

Afati i dorëzimit ishte shtyrë për 30 ditë, kur edhe nesër është dita e fundit kur duhet të dorëzohet aktakuza e plotësuar.

Rikujtojmë, se aktakuza për veteranët e rrejshëm  ishte dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Por, kjo gjykatë më 10 tetor, përmes një njoftimi për media kishte bërë të ditur, se kjo aktakuzë, i është kthyer Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë në plotësim dhe qartësim.

Kjo, pasi siç thuhej në njoftim, aktakuza në fjalë nuk është përpiluar konform nenit 241, paragrafi 1 pika 1.4 të Kodit të Procedurës Penale.

Ndryshe, në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro./Indeksonline/

 

Lumezi konfirmon shtyrjen e afatit nga Gjykata për aktakuzën në rastin “veteranët”