Nesër i tërë sistemi arsimor në grevë
Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe të Shkencës së Kosovës do të mbajë nesër grevë një ditore në të gjitha institucionet arsimore të Kosovës. Këtë e ka konfirmuar për Radio Kosovën, kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj.
Greva e së hënës është vazhdimësi e veprimeve sindikale të SBASHK-ut kohën e fundit, për shkak të mos-realizimit të kërkesave nga qeveria, ka thënë kreu i sindikatës së arsimtarëve, Rrahman Jasharaj.
“Nesër pra i tërë sistemi arsimor i Kosovës do të jetë në grevë tërë ditore që fillon në orën 9 dhe përfundon në orën 12 ku do të jenë të punësuarit e të dy ndërrimeve në të njëjtën kohë në greve, poashtu edhe universiteti”
Nëse kërkesat nuk do të realizohen edhe pas grevës të së hënës, sipas vendimit të Kongresit të SBASHK-ut, greva do të përshkallëzohet në muajin prill, theksoi Jasharaj.
“Uroj që qeveria e Kosovës të shoh seriozitetin e situatës dhe të mos na dërgojë në hapin tjetër sepse sipas rezolutës së Kongresit nëse deri më 13 prill qeveria nuk vepron, atëherë do të jemi të shtrënguar të shkojmë në grevë në kohë të pacaktuar që nënkupton që greva do të zgjasë deri në realizimin e kërkesave të anëtarësisë sonë”.
Jasharaj për Radio Kosovën potencoi se kërkesa kryesore e grevistëve do të jetë dërgimi në Parlament i projektligjit për punëtorët e arsimit të viteve të 90-ta.
“Kërkesë tjetër e jona është që qeveria bashkë me institucionet lokale të punojë më shumë të realizohet kontrata kolektive pa pasur nevojë të shkohet nëpër gjykata. Kërkesë e tretë është që propozimi i SBASHK-ut dhe i MASHT-it lidhur me ligjin e pagave të pranohet…”
Sipas organizatorëve, të hënën të gjithë arsimtarët duhet të jenë nëpër vendet e tyre të punës nga ora 9-12 për të mbajtur grevën, përderisa nxënësit nuk duhet të shkojnë në shkollë. Megjithatë, kreu i Sindikatës tha se i kanë përjashtuar çerdhet, për arsye të përkujdesit për fëmijët, prindërit e të cilëve janë të punësuar.