14:34 / E Diele, 28 Tetor 2018 / indeksADMonline

Nesër nis diskutimi mbi ndryshimet kushtetuese në Maqedoni

Qeveria e Zoran Zaevit në Maqedoni ka dorëzuar projektligjet për ndryshimet kushtetuese në Kuvend, ndërsa shqyrtimi i tyre do të marrë rreth dy muaj e gjysmë kohë, pasi për çdo amendament do të duhet të debatohet rreth 3 ditë.

Megjithatë, në mesin e diskutimeve për ndryshimet kushtetuese, që do të bëjnë të mundur zbatimin e marrëveshjes së emrit me Greqinë, janë aktualizuar edhe kërkesat e opozitës shqiptare për ndërhyrjen në disa nene të Kushtetutës, që do të avanconin më tej pozitën e shqiptarëve në këtë shtet.

Kërkesa kundër të cilave ka dalë Bashkimi Demokratik për Integrim, pjesë e qeverisë së Zaevit, e cila përmes deputetit Xhevat Ademi i ka vlerësuar si përpjekje e opozitës për të fituar pikë në politikë.

Aemi i BDI-së është shprehur më tej se, përveç 4 amendamenteve të prezantuara nga qeveria, për të cilat priten edhe sugjerime, amendamente shtesë që nuk kanë të bëjnë me ndryshimin e Kushtetutës për shkak të marrëveshjes së Prespës nuk do të pranohen.

Ndërkohë, 8 të përjashtuarit nga VMRO-DPMNE-ja për shkak të votimit për fillimin e procedurave për ndryshimet kushtetuese, pritet të formojnë një grup parlamentar në Kuvend gjatë së hënës.