20:26 / E Hënë, 14 Mars 2022 / AR

NFT-të shpërthejnë në popullaritet, 21 mijë përqind rritje në 2021

Shitja e tokenëve jo të këmbyeshëm ose siç njihen ndryshe NFT u rrit ndjeshëm në 2021 duke tejkaluar shifrën e 17 miliard dollarëve sipas një studimi nga Nonfungible.com.

Studimi, realizuar në bashkëpunim me kompaninë kërkimore L’Atelier e cila është në pronësi të BNP Paribas, tha se vitin e kaluar janë tregtuar 17.6 miliardë dollarë NFT duke reflektuar kështu një rritje me 21,000% krahasuar me 2020 ku u shitën vetëm 82 milionë dollarë.

NFT-të janë asete të tregtueshme të cilat mbajnë rekord të pronësisë së një sendi dixhital që mund të jetë një punë arti apo një avatar video loje në blockchain. Vitin e kaluar NFT-të shpërthyen në popullaritet.

Një token që përfaqësonte një kolazh të artistit dixhital Beeple u shit për 69 milionë dollarë në një ankand ndërsa koleksione si Bored Ape Yacht Club tërhoqën vëmendjen njerëzve të famshëm si Jimmy Fallon apo Snoop Dogg.

Po sipas hulumtimit të Nonfungible.com, mëse 2.5 milionë portofolë kriptomonedhash u përkisnin njerëzve që mbanin ose tregtonin NFT në 2021.

Fitimet gjithashtu kanë qenë të larta me investitorët të cilët kanë gjeneruar 5.4 miliardë dollarë fitime nga shitjet. Mbi 470 portofolë kanë fituar të paktën 1 milionë dollarë nga NFT-të.

Kategoria më popullore e NFT-ve ishin koleksionet të cilët gjeneruan 8.4 miliardë dollarë shitje. NFT gaming si Axie Infinity ishin kategoria e dytë më e shitur e NFT-ve prej 5.2 miliardë dollarë shitje. /PCWorld Albanian