17:34 / E Martë, 06 Dhjetor 2022 / B O

Nga Kosova e Serbia kërkohet t’i zbatojnë pa vonesa marrëveshjet e dakorduara në Bruksel

Është publikuar deklarata e dakorduar në Samitin BE-Ballkan Perëndimor që u organizua sot në Tiranë.

Në pikën nëntë të deklaratës është folur për dialogun Kosovë – Serbi, ku të dyja palëve u është kërkuar të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog, e të arrijnë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Po ashtu kërkohet që marrëveshjet e dakorduara deri më tash të zbatohen pa vonesa.

“Ne vazhdojmë të mbështetim plotësisht përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së dhe të Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe për çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe presim progres konkret nga të dy palët drejt një marrëveshjeje të plotë dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Kjo është kritike për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar se palët munden të vazhdojnë rrugëtimet evropiane përkatëse. Ne përsëritim pritmërinë tonë të fortë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme të respektohen plotësisht dhe të zbatohen pa vonesë. Ne i nxitim të dy Palët të angazhohen në mënyrë konstruktive për të zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet dypalëshe dhe mos marrin veprime të njëanshme dhe/ose provokuese që mund të shkaktojnë tensione dhe dhunë dhe retorikë që nuk shpie drejt dialogut. Ne u kujtojmë të dy Palëve përgjegjësinë e tyre të përbashkët për të siguruar paqen dhe stabilitetin”, thuhet në këtë pikë.