20:04 / E Mërkurë, 03 Qershor 2020 / indeksADMonline

Nga shoqëria civile e shohin me dyshim përbërjen e qeverisë së re

Arton Demhasaj nga Lëvizja Çohu e sheh qeverinë e re të Kosovës me legjitimitet të cunguar dhe të lënduar për nga mënyra si është formuar. Por ai mendoj se kjo qeveri ka autoritet për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Demhasajt, arsyeja kryesore pse Kosova ka kryeministër Avdullah Hotin është dialogu me Serbinë.

“Përkundër që LDK para elektoratit ka kërkuar votën për Vjosën, tash kemi një tjetër kryeministër e që është Avdullah Hoti. Mendoj që për këto arsye qeveria e Hotit do të ketë një legjitimitet të cunguar dhe lënduar në esencë. Sa i përket autoritetit jemi në rregull për shkak të vendimit të Gjykatës  Kushtetuese”, tha Demhasaj për RTV Dukagjinin.

“Arsyeja kryesore pse sot e kemi qeverinë Hoti është procesi i dialogut dhe tendenca për të arritur një marrëveshje me Serbinë. Në momentin kur të përfundon arsyeja pse është bërë kjo qeveri, edhe mund të shkarkohet. Madje mund të shkarkohet nga vet PDK-ja me bashkimin e votave me Vetëvendosjen”, shtoi më tej Demhasaj.

Ndërsa për Betim Musliun e IKD zhgënjim është emri i disa ministrave që kanë probleme me drejtësinë. Musliu thotë se qeveria duhet ta mbajë fjalën dhe të fillojë me reformat e domosdoshme në drejtësi.

“Ne si Institut i Kosovës për Drejtësi së pari shprehim zhgënjimin tonë për emrat që janë përfshirë në këtë qeveri ku ka edhe persona që kanë aktakuza aktive. Ne kemi kërkuar nga Hoti që të mos ketë persona me integritet të kontestuar  në kabinetin qeveritar. Pa një veting të thellë në sistemin e drejtësisë nuk mund të ketë reformë dhe nuk mund të ketë as luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar”, deklaroi Musliu.

Musliu thotë më tej se edhe Qeveria Haradinaj e ka pasur në plan program vettingun por gjatë ushtrimit të pushtetit e kanë harruar atë