75 Mall Live Search
12:29 / E Enjte, 01 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Nga sot artistët marrin paga me rritje për 50%

Nga sot të gjithë krijuesit dhe performuesit e kulturës dhe punonjësit profesionalë të Trashëgimisë Kulturore marrin pagat me rritje prej 50 për qind.

Me këtë rast ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporti, Kujtim Gashi edhe solemnisht iu ka dorëzuar atyre kontratat nga zbatimi i Rregullores për Gradimin dhe Pagat  për përfituesit kulturor.

Ai tha se përmes kësaj rregulloreje janë krijuar parakushte për të arritur objektivat e përcaktuara në politikat programore për kulturën dhe trashëgiminë kulturore.

Sipas tij, përmes rritjes së pagave të krijuesve vendor po mundësohet edhe promovim më i mirë për Kosovën.

“Ne po punojmë vazhdimisht që me politikat e fushë së kulturës dhe të trashëgimisë kulturore të sigurojmë promovimin e kulturës dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vendin tonë, të sigurojmë ruajtjen edhe të identitetit të shoqërisë tonë. Me ngritjen e pagave për artistët nga sot kemi krijuar mundësi më shumë për artistët tanë që të vazhdojnë të na bëjnë krenar me krijimtaritë dhe performancat e tyre të cilat po e promovojnë Kosovën” , u shpreh Gashi.

Ai u zotua se çdo pakënaqësi rreth kësaj rregulloreje do ta rregullojnë bashkërisht me komunitetin artistik.

Ndërsa, në emër të shoqatave sindikale të Teatrit, Filarmonisë, Operës dhe Ansamblit “Shota” foli Semira Latifi, e cila tha se sot po e përçojnë një lajm të shumëpritur për performuesit e artit të Kosovës.

“Sot janë ekzekutuar pagat me rritje për performuesit të artit të Republikës së Kosovës për të cilën gjë patë premtuar ministri Gashi qysh në takimin tonë të parë kur  ai u emërua ministër…Kërkesa jonë e kamotshme u realizua dhe për këtë ndër më meritorët është ministri Kujtim Gashi për të cilin shprehin konsideratë dhe respekt të veçantë si ministër i cili e mbajti fjalën e dhënë…Ne duam që kjo ditë të shënohet si shembull dhe shtytje për zyrtarë e tjerë shtetëror të kuptohet se sa e rëndësishme është realizimi i një premtimi publik, dhe sa me shpresë bëhemi kur përgjegjësitë tanë realizojnë atë që thonë”, tha Latifi.

Ndryshe, komuniteti artistik në muajin shtator të këtij viti ka mbajtur një grevë nëntë ditore me kërkesë të vetme ngritjen e pagës komfor rregullores.