10:17 / E Hënë, 18 Dhjetor 2017 / k.v

Nis protesta e opozitës, Basha mbledh grupin parlamentar

Protestuesit e opozitës nisën të grumbulloheshin para godinës së seancave plenare të Kuvendit, për t’iu përgjigjur thirrjes së Partisë Demokratike për të protestuar kundër zgjedhjes së kryeprokurorit të përkohshëm.

Para se t’i drejtohej Kuvendit, Lulzim Basha mblodhi grupin parlamentar demokrat. Mbledhja përfundoi pak para orës 10:00 dhe kreu i PD e deputetët e opozitës u nisën drejt Kuvendit. Mbledhja ka patur si qëllim koordinimin mes deputetëve në seancë dhe protestuesve të jashtë saj.

Lulzim Basha kërkoi heqjen nga rendi i ditës i zgjedhjes së kryeprokurorit të përgjithshëm të përkohshëm.

“Sot është një nga ditët më të rënda për demokracinë, më të vështira për qytetarët që duan një vend demokratik ku respektohet ligji dhe Kushtetuta. Sot në dhunim flagrant të kushtetutës, shumica parlamentare kërkon të marrë një pushtet që nuk i takon. Është një seancë antikushtetuese, sot në mënyrë tinzare po bëheni gati për një grusht shteti”, tha Basha.

Ndërkohë, forca të shumta policie janë vendosur para Kuvendit për të shmangur incidentet e mundshme.

Mazhoranca ka paralajmëruar hedhjen në votim të tre emrave për postin e kryeprokurorit të përkohshëm. Kandidaturat janë Ferdinand Elezi, Arta Marku dhe Ermira Tafani, të vetmit që sipas Komisionit të Ligjeve plotësonin kriteret nga 7 kandidatët fillestarë./Top Channel/