11:56 / E Hënë, 24 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Nis samiti i Londrës, Kurtit i lëvdërohet marrëveshja e linjës hekurudhore

Në samitin e Londrës, marrëveshja për linjën hekurudhore Kosovë – Serbi është konsideruar si një nga cështjet kyç për Kosovën. Kryeministri Albin Kurti ndërkaq ka folur për investimet e diasporës.

Në samitin e Bankës Evropiane për Rindërtime dhe Zhvillim (BERZH) për investime në Ballkanin Perëndimor, kanë filluar diskutimet, ndërsa paneli përbëhet nga liderët e gjashtë shteteve ballkanike. Kosovës e përfaqëson Kryeminsitri Kurti, ndërsa Serbinë, kryeministrja Ana Bërnabiq.

Në postimet e BERZH-it në Twitter, marrëveshjen për linjën hekurudhore e kanë quajtur “linjë veri-jug”.

“Lidhja rajonale veri-jug, bashkëpunimi rajonal nën kornizat e integrimit në Bashkimin Evropian, janë çështje kyç për Kosovën”, shkruan në postimin e BERZH-it.

Ndërkaq kryeministri Kurti nuk i ka përkrahur marrëveshjet e fundit me Serbinë për linjën hekurudhore dhe ndërtimin e autostradës, duke thënë se ato u nënshkruan pa dijeninë e Qeverisë.

Kryeministri në fjalën e tij, citohet të ketë folur për diasporën që Kosova e ka dhe për investimet e tyre.

“Ne kemi një diasporë të madhe dhe investimet nga ta do ta ndihmonin Kosovën tejet shumë”, ka thënë Kurti.

BERZH-i bën të ditur se këtë vit do të investojë një miliard euro në shtetet e Ballkanin Perëndimor.

Kurti si kryeministër është ulur për herë të parë krah homologes së tij serbe.