09:59 / E Hënë, 22 Korrik 2019 / indeksADMonline

“Një ditë para se Gjykata Ndërkombëtare i tha ‘po’ Pavarësisë, u thirra në Hagë, sot sërish u thirra, por po e lë Kosovën më të fortë se kurrë”

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, përmes një shkrimi të postuar në faqen e tij zyrtare Facebook ka folur për rëndësinë e datës  22 korrik kur Gjykata Ndërkombëtare të Drejtësisë i tha po Pavarësisë së Kosovës.

Këtë vendim ai e quajti historik, teksa kujton se si një ditë më parë më 21 korrik ai u thirr në Hagë në procesin gjyqësor, ndërsa thotë se edhe sot kur ai u ftua sërish, Kosova është më e fortë se kurrë.

Ky është postimi i tij i plotë:

Një nga datat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës është edhe 22 korriku i vitit 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli verdiktin se, Pavarësia e Kosovës është legjitime dhe e drejtë dhe nuk bie ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare.

Ky vendim historik për vendin, konfirmoi themelet e pavarësisë tonë, të sovranitetit të shtetit dhe integritetit territorial.

Për koicidencë, një ditë para vendimit të GjND-së, më 21 korrik, unë u thirra në Hagë, në procesin e dytë gjyqësor. Sot, kur sërish thirrem në Hagë, në këtë përvjetor të nëntë, Kosova është më e fortë se kurrë, si shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm dhe i përkushtuar në rrugën euro-atlantike.