10:02 / E Enjte, 21 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Një kartolinë nga sheshi Skënderbej

Një kartolinë nga sheshi Skënderbeji, në Tiranë, i stolisur për Festat e Fundvitit.

Sheshi i përuruar më 10 qershor 2017, përfaqëson një ndërthurje mes pjesës së ngurtë dhe asaj të gjelbër dhe pyllëzuar, duke ruajtur fort simbolikat kombëtare dhe historike që mbart.

Ndërkohë për festat e fundvitit, Sheshi Skënderbej është shndërruar në epiqendër të festimeve dhe aktiviteteve.

Ai është shtruar me gurë natyralë në formën e pllakave të gurit me trashësi 10-12 cm dhe që janë marrë nga të gjitha trojet e Shqipërisë, duke nisur nga Tropoja dhe Kukësi, Bilishti, Librazhdi, gëlqerorët e Tiranës, Korçës, Gjirokastrës, Sarandës, Berati, Vlorës, Krujës, Bulqizës, Prizrenit, Ersekës, Skraparit, Malisheva, Gjakova, nga zona të ndryshme ku jetojnë shqiptarë në Maqedoni, etj.

E gjithë sipërfaqja e shtruar me këto gurë arin në rreth 28 000 metra katrorë. Ndërkohë që sheshi ofron 32 000 metra katrorë oaze e pyll urban me bimësi nga çdo krahinë ku jetojnë shqiptarë, të gjitha në funksion të qytetarëve, të aktiviteteve artistike, kulturore, panaireve, koncerteve apo thjesht shëtitjeve e xhirove në orët e pasdites, në freskinë e pemëve. Ato janë të mbjella në rreth 11 lulishte, ku janë mbjellë 2,220 pemë, 4,500 shkurre dhe 70,000 lule.

Sheshi është i pajisur gjithashtu me rreth 100 shatërvanë të cilat përveç aspektit estetik do të shërbejnë edhe për freskinë gjatë periudhës së nxehtë.

Ky shesh është në fakt një risi për vendin tonë edhe në aspektin ekologjik, duke shfrytëzuar ujin e shiut në sistemin e vaditjeve dhe shatërvanëve. Për të bërë të mundur këtë poshtë sheshit janë ndërtuar rreth 2100 m3 rezervuare për ujin. Ndërkohë që ndriçimi i sheshit dhe i godinave përreth, si dhe gurët e pemët e sjella nga gjitha trojet shqiptare, i jep qendrës së Tiranës pamje dinjitoze duke u shndërruar atë në mënyrë simbolike në qendrën e të gjithë shqiptarëve.

Pikërisht me këtë pamje nga kryeqyteti i shqiptarëve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar për të gjithë një ditë të mbarë.

“MIRËMËNGJES dhe me këtë kartolinë të Sheshit Skënderbej të Rilindur e të stolisur për Festat e Fundvitit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.